Në rezervuarin e Xibrakës i njohur si “Gjoli i Mukjes” në Cërrik ka ndodhur një katastrofë mjedisore. Qindra kuintal peshq dhe gjallesa të tjera janë gjendur të ngordhur në breg të këtij liqeni.

Ende mbeten mister shkaqet e kësaj masakre të vërtetë sipas infoelbasani.al, por sipas specialistëve, nuk bëhet fjalë për vrasje me dinamit, apo lëndë kimike, por për një lloj asfiksie me natyrë të panjohur.

Dyshohet se peshqit kanë pasur mungesë oksigjeni, për shkak të një lënde të panjohur të çliruar në ujë në formë gazi apo shëndërrimi kimik.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertët të mjedisit të cilët kanë marrë mostrat dhe i kanë dërguar për ekzaminim në laborator. Dëmi ekonomik është mjaft i madh, por mbi të gjitha i pallogaritshëm konsiderohet dëmi mjedisor. Shikoni foton në fund të lajmit.

Rasti merr përmasa alarmante për shkak se në pllajën e Dumersë ndodhen 85 liqene të tjera tek të cilët mund të përhapet kjo katastrofë. Ndaj strukturat përgjegjëse janë vënë në lëvizje për të përcaktuar sa më parë shkakun dhe për të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur rezervuarët e tjerë.

Specialistët kanë ngritur disa hipoteza të mbështetura në arsyetime. Pikërisht për këtë po heton policia dhe prokuroria në Elbasan. Një nga pistat e investigimit mbetet helmimi me dashje i liqenit.

Çështja pritet të sqarohet pas përfundimit të analizave që po u kryhen kampioneve të peshqve të dërguar në laborator. /Burimi Infoelbasani.al