Lulet e Xanës janë bukuroshet madhështore që veshin si me qilim malet shqiptare. Të njohura ndryshe me emrin Gjineshtra (lat.Genista Tinctoria), këto lule të pashme e që u japin maleve shqiptare hijeshi vlerësohen lart për përdorimin e tyre në botën e bimëve medicinale.

Krahas bukurisë së tyre, lulet e Xanës kanë një shije të ëmbël, e shpesh herë përdoren si shije e shtuar nëpër ëmbëlsira apo edhe për dekor në servirjen e tyre.

Lule Xana apo Gjineshtra është një shkurre e vogël, me degë të holla e të gjata, me gjethe të rralla, të vogla e heshtake, me lule të verdha, në trajtë vileje e me aromë të këndshme, që lidh si frut një bishtajë. Dikur, degët e kësaj bime janë përdorur për të thurur ose për të nxjerrë një fije të fortë.

Që në lashtësi, lule Xana, apo gjineshtra, ka qenë një ndër bimët më të përdorura në mjekësinë popullore për shërimin e një sërë sëmundjesh e problemesh të shëndetit.

Kjo bimë është e njohur gjerësisht në përdorimin e saj në lidhje me pastrimin e trupit nga toksinat. Gjithashtu lulet e Xanës janë përdorur masivisht në kurat popullore për shërimin e plagëve në trup, pasi ato ndikojnë në mbylljen e shpejtë të tyre dhe largimin e dhimbjeve gjithashtu. Po të njëjtat vlera kurative, Xana i shfaq edhe në lehtësimin e dhimbjeve për nervin shiatik.

Kjo bimë medicinale përdoret si diuretike dhe si dezinfektuese në sëmundjet e veshkave; pëdoret në edema si dhe në përmirësimin e shëndetit të zemrës.

Lulet e Xanës apo të Gjineshtrës ndihmojnë në tretje, ndërsa shërbejnë si laksativ natyral, ato nxisin djersitjen dhe shërbejnë si një diuretik. Gjithashtu, kjo bimë ndihmon në rritjen e vigjilencës dhe energjisë.

Ato trajtonë reumatizmat dhe gjendrën e tiroides. Xana rrit presionin e gjakut, si rezultat nuk duhet të përdoret nga dikush me tension të lartë. Ndërkohë, përdorimi i lules së Xanës nuk është i këshillueshëm për përdorim nga gratë shtatzëna.

Vlerësohet se pjesa e përdorshme si bimë medicinale e Xanës është kryesisht pjesa e përbërë nga bari i lulëzuar dhe i tharë i bimës, e cila është një gjysëm shkurre, e shpeshtë nëpër pyje, shkurreta e kullota.

Receta

Në një enë hidhet një lugë e vogël me bimën e tharë të grimcuara

Më pas shtohet një gotë me ujë të valuar

Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta

Më pas lëngu kullohet

Këshillohet konsumimi i 2 dozave të tilla në ditë./AgroWeb.org