Shija magjike dhe vlerat kuruese e bëjnë çdo prevede të Shqipërisë të veçantë në llojin e vet. Prevedeja e kumbullës është më e njohura nga të gjitha. Shija e saj e plotë, e ëmbël dhe vlerat shëndetësore e bëjnë atë të papërsëritshme.

Kumbullat janë të mbushura me flavonoidë dhe fenolë. Ato ofrojnë një sërë vlerash unike shëndetsore. Gjatë stinës së dimrit, nënat shqiptare e përdorin shurupin e prevedesë së kumbullës së egër për të kuruar të ftohtin, kollën dhe gripin.

Në vazhdën e recetave interesante të publikuara rregullisht, lexuesit e AgroWeb.org, kanë mësuar sekretet e recetave tradicionale, por edhe unike të prevedesë së manaferrës apo boronicës, të cilat mund të përgatiten lehtësisht në shtëpi.

Në këtë artikull ju do të lexoni për përgatitjen e prevedesë së kumbullës në kushtet e shtëpisë.

I gjithë procesi i përgatitjes së prevedesë është pak më i ndërlikuar se ai i përgatitjes së reçelit, por me pak mund, ia vlen. Njerëzit që nuk janë fort dashamirës të reçelit me fruta ose fara, do të shohin se prevedeja është më e mirë dhe më e lehtë për t'u tretur.

Këshilla e parë që AgroWeb.org mund t’ju japë është që të përdorni fruta të cilat i japin prevedesë strukturën karakteristike dhe arrijnë të krijojnë një lidhje të fortë e të ngjeshur mes të gjithë përbërësve. Në të kundërt, mund të zgjidhni pektinën që shërben për krijimin dhe fortësinë e xhelatinës.

Si të përgatisni prevedenë e kumbullës në shtëpi

Përbërësit

2 kg kumbulla pa bërthamë të ndara në gjysmë
4 gota me ujë
1 pako me pluhur pektinë frutash (nëse dëshironi_
7 filxhanë me sheqer

Udhëzimet

Merrni një tenxhere të madhe. Ziejini kumbullat deri sa të zbuten për rreth 30 minuta.

Merrni një napë dhe paloseni në katër shtresa dhe vendoseni sipër një ene ku do të hidhni lëngun. Kullojini kumbullat dhe ndajini mënjanë. Lëngu i nxjerrë duhet të arrijë në sasinë e përafërt me 5 filxhanë e gjysmë dhe duhet lënë të ftohet për 30 minuta.

Hidheni lëngun sërish në tenxhere. Shtoni pektinën dhe lëreni të valojë. Ndërkohë shtoni dhe sheqerin dhe trazojeni vazhdimisht ndërkohë që zierja të zgjasë për dy minuta. Hiqeni nga zjarri dhe me një lugë hiqni shkumën e formuar.

Masën e nxehtë hidheni me kujdes në kavanozë të sterilizuar duke lënë një hapësirë nga kapaku. Përdorni një lugë për të larguar bulëzat e krijuara dhe mbylleni kapakun fort. Kavanozët duhen vendosur për pesë minuta në një tenxhere të madhe me ujë të valuar./AgroWeb.org