Pas Valbonës dhe Vjosës një tjetër thesar i natyrës Shqiptare bëhet pre e shkatërrimit për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka njoftuar se ka shpallur fituesit e koncesionit për hidrocentralin mbi lumin Shalë. 

Lumi i Shalës është shndërruar së fundmi në një destinacion të mrekullueshëm turistik, falë ujrave të kristaltë që rrezikojnë të mbyllen në tubacionet e Hidrocentralit.
Referuar vlerës së investimit por dhe fuqisë së instaluar duket se kemi të bëjmë me një nga hidrocentralet më të mëdhenj nëvend. Kompania fituese është një bashkim i përkohshëm i shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI”, “Shala Energy PLC” dhe “Falak Properties LLC”.

Vlera e HEC-i mbi lumin e Shalës është rreth 100 milionë USD.

Fuqia e instaluar e përcaktuar me prurjen llogaritëse parashikohet që të jetë 83,450 kW , me një prodhim të energjisë elektrike rreth 321,465,632 kWh. Vlera e Fee-së koncesioneve të ofertuar është 2.1% (6,750,778 kWh)kurse koha e zbatimit te punimeve 36 muaj. Vlera pa TVSH është 11,239,204,263 Lekë.

Interesi për shfrytëzimin hidroenergjetik është për ujërat e lumit te Shalës, midis kuotave 486 metra mbi nivelin e detit deri në 176.00 metra mbi nivelin e detit, i cili është edhe kuota maksimale e rezervuarit të Komanit, duke respektuar kushtet teknike të projektimit dhe mos cenimit të objekteve që parashikohen të ndërtohen në këtë pellg ujëmbledhës.

Lumi i Shalës mbi të cilin është planifikuar të ndërtohet hidrocentrali është një nga degët e lumit Drin që furnizon kaskaden e Drinit e cila është vepra më e rëndësishme energjetike në vend që siguron mbi 90% të energjisë në vend.

Jepen edhe HEC-I Gojan dhe Bushtrica 1

Ministria e Energjisë njoftoi se ka shpallur edhe fituesit për hidrocentralin Bushtrica 1 e cila ishte për më shumë se dy muaj e ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik. Sipas njoftimit fitues për këtë koncesion është shoqëria “Doko”sh.p.k me një vlerë investimi 506 milionë lekë pa TVSH ndërsa fuqia e instaluar do të jetë 4220 Kë.

Për hidrocentralin e Gojanit fituese është shpallur “M.C. Inerte” sh.p.k. me një vlerë investimi 1.9 miliardë lekë.

AgroWeb.org ka ndjekur në vijimësi çështjet e ndërtimit të hidrocentraleve në Valbonë e Vjosë dhe do të vijojë të ndjekë edhe çështjen e ndërtimit të Hidrocentralit mbi Lumin e Shalës, në mbrojtje të perlave natyrore shqiptare që rrezikohen nga investime që cënojnë këto bukuri të rralla të Shqipërisë, për të cilët shumë evropianë por pak shqiptarë e ngrenë zërin./AgroWeb.org