Toka është shtëpia jonë, e vetmja që kemi në dispozicion dhe që na strehon. Në çdo 5 qershor ne e nderojmë këtë trashëgimi të pabesueshme natyrore të Tokës duke festuar Ditën Botërore të Mjedisit.

Një ditë, e cila është themeluar në vitin 1972 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e që na kujton takimin e parë të madh ku u fol në lidhje me mjedisin global. Ishte pikërisht Konferenca e Stokholmit mbi Mjedisin. Nga ai takim i rëndësishëm, i cili do të shënjonte më pas të gjithë qasjen tonë globale ndaj mjedisit, lindi UNEP. Programi i Mjedisit i Kombeve të Bashkuara, i cili ka për qëllim të theksojë rëndësinë e natyrës, pa të cilin jeta jonë do të ishte kthyer me kokë poshtë, por edhe të na bëjë të reflektojmë mbi veprimet që të gjithë ne mund të ndërmarrim për të përmirësuar kushtet e mjedisin.

Sepse në fund Dita Botërore e Mjedisit, është në të vërtetë një ditë për të gjithë ne; është një shans për të rinj dhe të vjetër, për të treguar në fund të fundit se sa vlerë ka për ne toka.

Që në fakt duket se ka shumë pak. Konsumi jonë global e tejkalon me një herë e gjysmë kapacitetin mbajtës të Tokës. Ekspertët pohojnë se nëse trendet aktuale të popullsisë dhe të konsumit do të vazhdojnë me këto ritme njerëzimi do të ketë nevojë për ekuivalentin e dy tokave për të mbështetur veten deri në vitin 2030.

Thethi, është një nga pasuritë natyrore më të mëdha në vend, me një biodiversitet të pasur

Ndaj dhe për këtë arsye tema që karakterizon Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit këtë vit ka në qendër humbjen e ushqimit nga prishja dhe kalbja si dhe mbeturinat: "Shtatë miliardë ëndrra. Një Planet. Konsumoni me kujdes ".

Megjithëse bota është nën efektet e mbi konsumimit, rreth një e treta e të gjithë ushqimit të prodhuar në mbarë botën humbet në sistemet e prodhimit të ushqimit dhe të konsumit. Kjo mbetje i kushton ekonomisë globale plot një trilion dollarë në vit. Në të njëjtën kohë, 1 në çdo 7 njerëz në botë bien të flenë të të uritur, 870.000.000 janë të paushqyer, më shumë se 20,000 fëmijë nën moshën 5 vjeç vdesin çdo ditë nga uria dhe rakitizmi tek fëmijët është një epidemi e heshtur.

Por, kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe shërben më shumë si një tregues i gjurmës ekologjike në të gjithë ekonominë globale, duke qenë se sistemi i ushqimit është përgjegjës për 80 për qind të shpyllëzimit dhe është cilësuar si shkaku më i madh i zhdukjes së specieve dhe humbjes së biodiversitetit.

Shqipëria humbet 2cm tokë në vit dhe kjo është për shkak të erozionit të lumenjve dhe prerjes pa kriter të pyjeve

Por sigurisht që nuk është asnjëherë tepër vonë për ta ndryshuar këtë tendencë, dhe nëse do të perifrazonim shprehjen e famshme të John F. Kennedy do të thonim "mos pyet se çfarë mjedisi mund të bëjë për ju, por çfarë mund të bëni ju për mjedisin".Dhe Shqipëria si një vend në zhvillim po e përjeton në koren e tokës së saj këtë, duke qenë se ka nivelin më të lartë të erozionit në Evropë. Zëvendësministri i Bujqësisë, Jani Babi e dha këtë alarm jo shumë kohë më parë gjatë Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Numri dy i Ministrisë së Bujqësisë ka deklaruar se Shqipëria humbet 2cm tokë në vit dhe kjo është për shkak të erozionit të lumenjve dhe prerjes pa kriter të pyjeve. Ai gjithashtu vuri në dukje se Shqipëria ka më pak tokë për frymë si sipërfaqe me vetëm 14% e saj të shfrytëzuar.

Dhe ku ka ditë më të përshtatshme për t’i ngritur këto pyetje sesa në Ditën Botërore të Mjedisit duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit tonë. Siç ndodh dhe me rastin e projektit të zyrës së OKB në Shqipëri në bashkëpunim me OSBE, ‎Ambasadën Italiane dhe ‎Shoqatën “Tirana Ekspres”, dhe partnerë tregëtarë në vend, të cilët së bashku kanë ndërmarrë një iniciativë për rritjen e ndërgjegjësimit rreth përdorimit të qeseve plastike si dhe ndikimin e tyre në mjedis.

Nga data 28 maj deri sot 5 qershor, në Ditën Botërore të Mjedisit, klientëve të një rrjeti supermarketesh i’u kërkua të japin një kontribut vullnetar për qeset plastike që përdorin. Vlera e sugjeruar është 10 lekë për qese.

Fondet që do të mblidhen nga ky aktivitet do t’i dhurohen OJF-se-Tirana Ekspres, që po realizon një projekt për pastrimin e lumit Ishëm, në të cilin përfundojnë shumë mbetje urbane nga Tirana.
Aktivitete të tjera në promovimin e Ditës Botërore të Mjedist do të mbahet në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë me forume të hapura, ku do të diskutohet mbi problemet më të ngutshme mjedisore me të cilat përballet vendi ynë dhe gjetja e mënyrave për ti parandaluar ato, duke u ndërgjegjësuar më parë për to.

Sepse në thelb ky është mesazhi që përfshin Ditën Botërore të Mjedisit, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën e kufizimit të konsumin, për të siguruar që planeti të mund të na mbajë të gjithëve. Sepse në fund të fundit, kjo është shtëpia jonë dhe na takon të kujdesemi për të.