“Bjeshkët e Nemuna shtrihen para meje të pafundme, të zhveshura dhe askete. Përthyhen, ulen, kulmohen si dallgë të ngurosura, që vërshuan nga një mankth bojëhiri. Kusha të gurta, dritare të vogla, frëngji të ngushta sikur kanë picërruar sytë nga kjo hapësirë pambarim”. Kush më mirë se shkrimtari Ismail Kadare mund t’i sillte me kaq magjepsje peisazhet befasuese të Bjeshkëve të Nemuna (Malet e Mallkuara), që ashtu kryeneçe, kulmojnë në zonën më të largët malore të Evropës.
Por mos u impresiononi nga emri të Mallkuara, se pasi t’i jeni ngjitur atyre majave, që do t’ju çojnë aq lart sa të mendoni se po e prekni qiellin me dorë, në Jezercë në lartësinë 2,694m, do të kuptoni se jeni të bekuar që ndodheni aq lart.

E nëse nuk jeni bindur akoma, që të mbathni këpucët dhe të merrni rrugët e malit, ne kemi prova të tjera, të zezë mbi të bardhë madje. Që nga Lord Bajroni, tek Edith Durham, nga Rose Wilder Lane tek shumë shkrimtarë të tjerë, studies dhe udhëtarë të botës që kanë rënë pre e magjepsjes së Alpeve Shqiptare, duke shkruar e folur gjatë për to.

Peisazhet e thyera, shtigjet që përshkohen në këmbë, mbi kalë, biçikleta malore, ndalesa në shtëpinë e fshatarëve në luginat përreth, shijimi i recetave të vjetra, festivalet tradicionale të zonës, me muzikë dhe valle, me të drejtë i kanë shndërruar Alpet tona, në një nga zbulimet më të fundit për eksploruesit e huaj dhe shqiptarë.

Një turist duke eksploruar Alpet shqiptare , në Theth. 

Aty nuk ka luks, as hotele me pesë yje, as rrugë të hajrit, por është thjesht dhe vetëm natyra e egër, që e kombinuar me mikpritjen e banorëve të zonës dhe ushqimit të shkëqyer bio e bën këtë vend një përrallë.

Me majat e maleve që duket sikur arrijnë qiellin me majat e tyre të mprehta dhe bukuritë mahnitëse që pasqyrohen në ujërat kthjella të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, si dhe në liqenet akullnajore si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës, që ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline që ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Majat e maleve të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit, etj që shërbejnë si pika triangulacioni, të ofrojnë një panoramë të ndryshme e cila tundon shpirtin aventuresk të çdo vizitori për t’i eskploruar bukuritë natyrore përreth tyre.

Ky thesar natyror ofron mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e turizmit për këtë zonë, e cila është ende e virgjër si përsa i përket natyrës ashtu dhe investimeve.

Për të shfrytëzuar këtë potencial të madh, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë politikash për të mbrojtur dhe përmirësuar këtë zonë me vlera të veçanta në veri të vendit, duke e nisur me projektin e ri të Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura për këtë zonë i cili synon që të zgjerojë zonën e cila shtrihej nga Vermoshi deri në Valbonë, e qw pritet të marrë emrin “Parku Kombëtar i Alpeve”. Këtu do të përfshihen dhe dy parqet ekzistuese, Parku Kombëtar i Thethit dhe ai I luginës së Valbonës. "Parku kombëtar i Alpeve do të përfshijë një sipërfaqe prej 85 mijë ha dhe është menduar të jetë më i miri në vend. Por, duhet theksuar se ruajtja dhe mirëmbajtja e tyre tashmë nuk është detyrë vetëm e ministrisë përkatëse, por edhe e vet komunitetit dhe e pushtetit lokal ku shtrihen”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, gjatë festimit të Ditës së Bjeshkëve të mbajtur në Theth.

Bjeshkët e Nemuna shquhen për bukurinë e rrallë mes majash të larta, ujëvarash dhe bimësish unike. 

Natyra fantastike dhe peisazhet e këtyre parqeve që janë pjesë e vargut malor Dinarit, shtrihen në tre shtete, Mali i Zi, Shqipëri dhe Kosovë, ofrojnë një potencial të madh për të gjithë ata që duan të eksplorojnë këtë zonë të paprekur dhe të pazbuluara. Vetëm kohët e fundit janë identifikuar disa shtigje të reja dhe rrugë për këmbësorët, të cilat janë të shënuara në mënyrë të pjesshme. Ndërkohë që një hartë e re që mbulon rajonin e Thethit dhe Kelmendit (Tamara, Vermosh) jep informacion në lidhje me 18 rrugë për ecje apo shtigje (tetë në Theth, tetë në Kelmend dhe dy ndër-rajonale). Një udhëzues i ri për ecjet malore jep gjithashtu informacion të detajuar, duke përfshirë madje edhe të dhëna me GPS, për turistët e magjepsur nga bukuria dhe misticizmi që mbartin këto bjeshkë që për dekada të tëra kanë qenë mbyllur nga kufij të pakapërcyeshëm e që sot përshkohen pa kurrfarë problemi nga Kosova në Maqedoni e Shqipëri.
Këto toka që dikur ishin zona konflikti po kthehen në një park paqeje. Sepse në Bjeshkë vetëm paqe gjen, veçanërisht kur ato janë ato të Nemuna.

Çfarë të shihni në Theth

Syri i kaltër në Kaprrë

Vendndodhja e kësaj bukurie ështe në Kaprrë të poshtme, një nga fshatrat më të bukur të Alpeve. Për të shkuar tek Syri i Kaltër duhet të kalosh një nga bukuritë e rralla të Thethit, që është Kanioni i Grunasit, një nga perlat e kanioneve në të gjithë Shqipërinë. Syri i Kaltër është i formuar nga gërryerja e shkëmbit nga uji që zbret nga mali. Pusi i zi është rreth 100 m² dhe rreth 3 deri në 5 m i thellë. Lumi i Zi formohet i gjithi nga shkrirja e borës në Alpe.

Ujvara e Grunasit

Një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare është dhe ujëvara e Grunasit e cila është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. Ujëvara e Grunasit me trupin e saj te hollë me mbi 30 metër të larte së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin. Ujëvara e Thethit ka si karakeristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin, është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujvarë të Europës.

Kanioni i Grunasit

Në pjesën jugore të parkut te Thethit është Kanioni i Grunasit i njohur si monument natyre. Kanioni i Grunasit ka formacione karbonike masive. Kanioni është rreth 2 km i gjatë dhe 60 metra i thellë, dhe varion nga 2-3 metra i gjerë deri në 30-40 m. Ka një bukuri të pakrahasueshme ku gjatë gjithë kohës ka ujë të mjaftueshëm për të apasionuarit e lundrimit me kanoe. Uji i lumit të Thethit është i kristaltë në cdo kohë dhe mjaft i ftohtë. Nuk këshillohet të vizitohet kanioni i pashoqeruar nga banorë të zonës dhe vizita është e këshillueshme të bëhet në grupe. Kanioni i Grunasit ka qenë dhe është një sfidë për të gjithë turistët e huaj dhe ata shqiptarë të apasionuar pas kanioneve.

Eksplorimi i shpellave
Thethi ka edhe monumente të tjera natyrore siç janë shpellat. Të apasionuarit e shpellave mund të shohë disa shpella të vogla dhe me bukuri të jashtëzakonshme në Theth: Shpellën e Qyqes, shpellën e lugut të Shakujve, shpellën e Kuqe”, shpellën e ndërgurëve në fushë të Thethit “mbi Ulaj”, shpellën e Pepes ne Okol dhe birën e Ujit në qafë të Pejës. Por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë specialistëve alpinistë, speleologë, gjeografë dhe gjeologë, janë shpellat vigane të Harapit mbi Okol dhe shpella e Rrathëve mbi Ulaj. Përmasat e mëdha dhe dukuritë interesante të këtyre shpellave si liqene nëntokësore, sifone, galeri stalaktitesh e stalagmitesh etj., kanë qenë shkaku i krijimit të legjendave nga banorët në shekuj.