Ndërsa insektet mund të jenë të neveritshëm, krijesa të shpifura për sytë e shumë njerëzve, një libër i fundit i publikuar nga Organizata Botërore e Ushqimit thotë se brumbujt, grerëzat dhe vemjet mund të ndihmojnë në rregullimin e pasigurisë globale të ushqimit

Libri “Insektet e ngrënshme: perspektivat e ushqimit dhe sigurisë ushqimore”, vë theksin jo vetëm tek vlerat ushqyese të insekteve, por edhe të mirat që insektet në bujqësi mund të kenë në mjedis dhe në adresimin e kërkesave në rritje për ushqimin në të gjithë botën. Insektet përbëjnë të paktën 85% të biodiversitetit dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mbështetjen dhe humbjen e biosferës, duke qenë se insektet mund të shkaktojnë një seri efektesh në ekosistem. Në të ardhmen insektet do të jenë një kontribues i madh i sigurisë ushqimore. Në fakt në shumë vende insektet kanë nisur të serviren për ushqim!

Organizata Botërore e Shëndetësisë (FAO) po kryen një sërë studimesh mbi sigurinë ushqimore dhe kërkuesit janë të mendimit se me rritjen e popullsisë, urbanizimin dhe rritjen e shtresës së mesme, kërkesat për ushqim janë në rritje veçanërisht për proteina shtazore. Megjithëse të shpifura ne dukje dhe jo vetëm!

Në të ardhmen insektet do të jenë një kontribues i madh i sigurisë ushqimore

"Prodhimi tradicional i ushqimit të kafshëve të tilla si ushqimi për peshqit, sojë dhe grurë duhet të intensifikohet edhe më tej në aspektin e efikasitetit të burimeve duke zgjeruar përdorimin e ushqimeve alternative. Deri në vitin 2030, më shumë se 9 miliardë njerëzve do t’u duhet të ushqehen, ndërkohë që burimet ushqimore limitohen gjithmonë e më tepër. Faktorë të jashtëm si toka dhe ndotja e ujit nga prodhimi intensiv blegtoral dhe mbi-kullotja kanë çuar në degradimin e pyjeve, duke kontribuar kështu në ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tjera shkatërruese për mjedisin. Zgjidhje alternative duhet të hulumtohen sa më urgjentisht", thuhet në dokumentin zyrtar të FAO-s mbi sigurinë ushqimore.

Ndoshta tani do të jeni duke rrudhur buzët dhe duke menduar se si mund ta hajë dikush vemje e brumbuj për dreke a darkë dhe mund të keni të drejtë, por nuk duhet të harrojmë dhe rolin tejet të rëndësishëm që kanë këto insekte në bujqësi, duke na siguruar ushqim.

“Insektet janë kudo dhe riprodhohen shpejt duke lënë gjurmë të papërfillshme në mjedis përgjatë të gjithë ciklit të tyre të jetës. Ato kanë vlera ushquese dhe janë të pasur me proteina dhe minerale. Përdorimi i insekteve në një shkallë të madhe, si një përbërës i ushqimit është teknikisht e mundur dhe disa vende të zhvilluara kanë shkuar drejt kësaj rruge", thekson FAO.

FAO parashikon se insektet si në akuakulturë dhe në ushqimin e shpezëve ka të ngjarë të bëhen më të përhapura brenda dekadës së ardhshme. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Industrisë së Ushqimit, prodhimi i ushqimit për kafshët arriti në 720 milionë ton në vitin 2010. Ndërkohë që insektet mund të zëvendësojnë burimet tradicionale si sojë, grurë dhe ushqim i peshkut. Eshtë e qartë që këto gjallesa të vogla janë të rëndësishme për jetën dhe zhvillimin e sigurisë tonë ushqimore.