Sa herë ju kanë ngacmuar më të vjetrit duke iu quajtur kungull, duke nënkuptuar se e keni trurin bosh? Ajo, që me siguri ata nuk kanë ditur, është se ky perim modest që rri qetësisht në kopësht është aq plot nga përmbajtja, saqë me siguri do i kërkonin ndjesë që i kanë rënë në qafë për gjithë këto vite. Kështu herën tjetër, që dikush do guxojë t’iu quajë kungull, do të dini se si t’i përgjigjeni duke pasur një listë të tërë me të gjithë vlerat ushqyese që ka kjo bukuri portokalli, që na e bën vjeshtën akoma më të gëzueshme.

Pikësëpari le t’i sqarojmë gjërat njëherë e mirë se kungulli është një perim me super veti ushqyese, i pasur me vitamina dhe minerale, por me pak kalori dhe ka pafund mënyra për tu përfshirë në dietë, sa do të habiteshit. Që nga ëmbëlsira, sallata, byrek me kungull madje madje mund të jetë një zëvendësues shumë i mirë dhe i gjalpit.

Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitamin A në trup. Ai rritet pothujase në të gjitha zonat e vendit. Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të disa tipeve të kancerit, mbron nga azma dhe sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen dhe degjenerimin e trupit. Më poshtë keni jo një, por gjashtë arsye se pse ja vlen të fiksohesh me këtë super perim të stinës.

Zemër më e shëndetshme

Të ushqehesh me kungull i bën mirë zemrës. Fibra, potasiumi dhe vitamina C, që ndodhen tek kungulli e mbështesin shëndetin e zemrës. Konsumi i potasiumit në mënyrë është po aq i rëndësishëm sa ulja e sodiumit për trajtimin e hipertensionit. Ushqime të tjera që kanë nivele të lartë të potasiumit janë domatet, portokallet, spinaqi dhe banania. Niveli i lartë i sasisë së potasiumit lidhet gjithashtu me uljen e rrezikut të atakut kardiak, mbron kundër humbjes së masës muskulare, ruajtjen e densitetit të kockës dhe në parandalimin e gurëve në veshka.

Lufton kancerin

Një nga tipet e kancerit, ku studimet kanë treguar për ndikimin e madh që ka një dietë e pasur me beta-karoten është kanceri në prostat. Beta-karoten lidhet gjithashtu me uljen e zhvillimit të kancerit të kolonës.

Shëndeti i Zemrës

Antioksidantët vitaminë C, vitaminë E dhe beta-karoten (të cilat gjenden të gjitha tek kungulli) kanë treguar se ndihmojnë në shëndetin e syrit dhe ndalojnë dëmtimet e mëtejshme të pamjes.

Fertiliteti

Për gratë të cilat duhet të bëhen nëna, konsumi i sa më shumë hekur nga bimë të tilla si spinaqi, kungulli, domate dhe panxhari duket se promovon fertilitetin. Vitamina A, që gjendet tek kungulli, është e domosdoshme gjatë shtatëzanisë dhe ushqimit me gji.

Imuniteti

Ushqimet bimore si kungulli që janë të pasura me vitaminë C dhe beta-karoten ndihmojnë për të shpejtuar metabolizmin, për shkak dhe të kombinimit të tyre me ushqyes të fuqishëm.

Gjumë më i mirë

Farat e kungullit janë të pasura me triptofan, amino acidi që ndihmon në gjendjen e gjumit. Triptofani është gjithashtu përgjegjës për të ndihmuar trupin të prodhojë serotinë, që na ndihmon të ndjehemi më mirë dhe më të relaksuar. Farat e kungullit jo vetëm na bëjnë të bëjmë një gjumë të mirë, por edhe na sjellin në humor.

 

Materialet jane publikuar fillimisht nga Daily Burn.com dhe Medical News Today dhe adoptuar nga Agroweb.