Miliona Euro për fuqizimin e bujqësisë shqiptare. Një marrëveshje prej 71 Milion Euro fonde të BE-së për 2016-2020 u nënshkrua së fundmi në Bruksel në mbështetje të agrobiznesit shqiptar, ndërsa thirrja e parë për aplikim pritet të hapet brenda gjashtë mujorit të parë të 2016-tës, konfirmuan për Agroweb zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

Thirrja e parë për aplikim pritet të hapet brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2016

Marrëveshja e nënshkruar nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bujqësisë dhe Zvillimit Rural (DG-Agri), Jersy Plewa është fondi më i madh i grantit dhënë nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar dhe mbështetur fermerët dhe bizneset e zonave rurale në vend, sipas deklaratës së dhënë nga Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti menjëherë pas takimit (link).

Bazuar në dokumentacionin e siguruar nga Agroweb mbi detajet e Marrëveshjes, vlera e fondit për vitin 2016 do të jetë 13 Milion Euro duke pësuar një rritje në vitet 2019-2020 në 16 Milion Euro në vit.
Agjensia e Pagesave AZHBR do të jetë institucioni përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes ndërkohë që Struktura Operative që përfshin insitucionet e brendshme dhe zyrtarë të Ministrisë së bujqësisë dhe të Financave, të cilët do të punojnë për marrjen e akreditimit të nevojshëm.

Ministria e Bujqësisë dhe Struktura Operative po punojnë ndërkohë për hartimin e skemave dhe masave mbështetëse për të bërë të mundur që faze e parë e aplikimeve të hapet brenda muajit Qershor të 2016-tës.
Pjesa e “luanit” duket se do t’i takoje fermerëve për Investime në fermat bujqësore, pasuar nga investimet për përpunimin dhe tregëtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit, investimet në diversifikimin e fermave dhe në asistencë teknike.

Skema e granteve IPARD bashkëfinancohet nga BE 75% (71 Milion Euro) dhe nga Qeveria shqiptare 25% (23 Milion Euro) me një vlerë të përgjithshme të mbështetjes financiare prej rreth 94 Milion Euro përgjatë viteve 2016-2020.

Duke pasur parasysh që fondet e BE-së mbulojnë 50-70% të investimeve, injektimi total në bujqësinë shqiptare pritet të jetë rreth 180 Milion Euro.
Kjo marrëveshje na vë përpara detyrimeve shtesë, në rradhë të parë për respektimin e afateve për rimbursimin e fondeve, deklaroi Panariti duke shtuar se për një progress të procesit kërkohet mobilizm i gjithë qeverisë, veçanërisht Ministrisë së Financave (link).

Përthithja e fondeve të BE- Sfida e Bujqësisë Shqiptare

Prej vitit 2007 Shqipëria përfiton financim prej Instrumentit të Para Aderimit (IPA), që mbështet vendet kandidate që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
IPA ka një komponent të Zhvillimit Rural (IPARD), i cili i siguron vendeve kandidate të BE-së, asistencë për implementimin e programeve shumëvjeçare për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së.

Financimi i bujqësisë mbetet i kufizuar, krahasuar me nevojën e sektorit si dhe me financimin e bujqësisë në vendet e tjera në rajon

dokumentin strategjik të IPA-s për Shqipërinë,(link) publikuar së fundmi theksohet se, megjithë përparimin e bërë deri më tani, në Shqipëri mbetet ende sfidë prodhimi i ulët bujqësor dhe zonat rurale të pazhvilluara. Fermerët dhe agro-bizneset nuk janë ende mjaftueshmërisht të përgatitur të menaxhojnë mundësitë dhe sfidat që rrjedhin nga integrimi në tregjet Europiane. Aktualisht bujqësia mbahet kryesisht me ndihmat mbështetëse financiare ndërsa fermat janë ende të vogla për shkak të ndarjes në parcela të vogla. Termi “fermer” nuk është zhvilluar aq sa duhet në legjislacionin shqiptar. Bujqësia konsiderohet një punë intensive me një nivel të ulët prodhimtarie dhe eficense si rezultat i nivelit të ulët teknologjik dhe nivelit të pamjaftueshëm të njohurive të duhura. Investimi i përgjithshëm në sektorin agro-ushqimor është i pakët.

Financimi i bujqësisë mbetet i kufizuar, krahasuar me nevojën e sektorit si dhe me financimin e bujqësisë në vendet e tjera në rajon, thuhet në raport. Për më tepër, masat mbështetëse kombëtare japin më shumë mbështetje financiare me grante për prodhuesit aktualë sesa për promovimin e konkurrencës dhe lehtësimin e kredimarrjeve. Kapacitetet administrative mbeten të ulta dhe BE rekomandon që Shqipëria duhet të zgjeroje kapacitetet administrative në mënyrë që të jetë në gjendje të përafrojë legjislacionin dhe politikat e saj me kërkesat e Bashkimit Europian.
Mungesa e financimit është një nga pengesat kryesore për rritjen e sipërmarrjeve SME të bujqësisë. Studimet tregojnë se arsyet e nivelit të ulët të financimit të agrobiznesit janë të ndërlidhura ngushësisht si me ofertuesit ashtu edhe me kërkuesit (fermerët dhe agrobizneset). Me gjithë progresin e bërë për të ngushtuar këtë hendek, gjithsesi për të arritur objektivin e përthithjes totale të fondeve dhe financimeve deri në vitin 2020 do të duhet një përpjekje gjithpërfshirëse nga Qeveria, insitucionet e BE-së, modelet inovative të biznesit dhe një bashkëpunim i ngushtë mes sektorit publik e privat, ekspertëve dhe organizatave konsulentë të agro-financimit për një transferim të ekspertizës që do të sillte një impakt më të madh në rritjen e sektorit agro në Shqipëri.