Në dhjetor duket sikur edhe ushqimet marrin ngjyra festive. Dhe nuk mund të mos mendosh për gjelin e detit të mbushur e të pjekur mirë, përsheshin karakteristik apo sallatërat e shumta që servirin amvisat shqiptare. Por dhjetori ka edhe shumë produkte të tjera, për të cilat ja vlen t’i mbushni çantat. Tani është fundi i sezonit të kungujve dhe gështenjave, ndaj shfrytëzojini mirë nëse ju zë syri ndonjë kungull nga zona e Peshkopisë apo ndonjë gështenjë të Tropojës. Pastaj për t’iu ëmbëlsuar mendojnë portokallet e mandarinat e Sarandës. Por më shumë se çfarë vlen të konsumohet e freskët në dhjetor lexoni guidën nga AgroWeb.org:

Brokoli

Brokoli nuk duhet të mungojë në ushqimin tuaj të përditshëm. Koha e rritjes së tij? Fatmirësisht është relativisht e gjatë. Gjysmën e vitit, nga muaji dhjetor në muajin maj, ju mund të zgjidhni mënyra të ndryshme për të gatuar këtë “super ushqim”. Brokoli ka pak kalori dhe është tejet i pasur në vitamina e minerale si dhe shumë fibra.

Përse është i mirë brokoli?

Brokoli përmban vitaminat K, C, acid folik, kalium dhe fibra. Është gjithashtu i pasur në beta-karoten dhe sulforofan, një lëndë e cila po studiohet nga shkencëtarët për vetitë anti-kancerogjene. Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut. Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve. Brokoli përban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.

Si ta zgjidhni brokolin?

Zgjidhni brokolin, kurora e së cilës është ngushtësisht e lidhur me njëra tjetrën, pra janë të mbyllura dhe kanë një ngjyrë të gjelbërt të thellë. Bëni kujdes të mos zgjidhni brokolin lulet e të cilit kanë ngjyrë të verdhë apo të gjelbërt të hapur. Ndërkohë as brokoli që ështe pjekur më shumë seç duhet nuk duhet përzgjedhur. Do të jetë shumë i fortë për t’u kafshuar dhe do të ndahet në copëza kur ta gatuani.

Si ta ruani?

Brokoli është një perime që prishet shumë shpejt. Për këtë arsye mbështilleni mirë dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit. Përdoreni sa më shpejt të jetë e mundur, nëse dëshironi që brokoli që konsumoni te jetë i freskët dhe i pasur me lëndë ushqyese.

Lulelakra

Lulelakra prodhohet nga muaji dhjetor deri në muajin maj. Për këtë arsye ky është dhe një produkt shumë i kërkuar në treg. Fermerë shqiptarë në vitin e fundit e kanë shtuar prodhimin e lulelakrës për shkak të rritjes së kërkesës nga tregu vendas dhe ai europian. Në dhjetor ju mund të konsumoni lulelakër të freskët, pasi vlerat ushqyese të saj janë të shumta. Por mos e teproni, pasi konsumi në sasi shumë të mëdha, shkakton fryrje të barkut.

Çfarë përmban lulelakra?

Lulelakra është e pasur me vitaminë C, K, B-6 dhe acid folik. Ajo përmban gjithashtu kalcium, hekur, magnez, fosfor dhe një sërë vitaminash të tjera të dobishme për organizmin. Lulelakra përmban antioksidantë që parandalojnë mutacionet e qelizave dhe ulin stresin që formohet nga radikalet e lira. Pra konsumi i lulelakrës ul mundësinë e shfaqjes së qelizave kancerogjene. Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit. Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memorjes, të muskujve, si dhe ndihmon me problemet e gjumit.

Si ta zgjidhi lulelakrën?

Për ta konsumuar gjithmonë të freskët, duhet të kujdesemi që kurora e lulelakrës që zgjedhim, njësoj si ajo e brokolit, të jetë e mbyllur dhe lulëzat e saj duhet të jenë të pozicionuara shumë afër njëra tjerës. Varieteti i bardhë duhet të jetë shumë i zbehtë dhe nuk duhet të ketë asnjë pikë, apo njollë të zezë në sipërfaqe. Duhet të keni kujdes të mos përzgjidhni lulelakra që janë të buta në pjesën e sipërme, pasi kjo është shenjë e prishjes.

Si të ruajmë lulelakrën?

Edhe pse në pamje lulelakra duket jetëgjatë, në të vërtetë ajo prishet shumë shpejt. Për ta ruajtur sa më gjatë, mbështilleni dhe vendoseni në sirtarin e poshtëm të frigoriferit.

Agrume

Dhjetori nuk mund të kuptohet pa portokallet e mandarinat gjithë shije. Dhe kur ke thënë portokalle menjëherë ke thënë Sarandë, zona që shquhet për prodhimin e agrumeve gjithë shije e aromë.

Si t’i zgjidhni

Lëkura me ngjyrë të fortë është e bukur, por jo domosdoshmërisht tregues i cilësisë. Nga fundi i sezonit, portokallet më të mira kur lihen në pemë marrin një ngjyrë pak si në jeshile, që ndikon në pamje, por jo në shije. Zgjidhni portokalle që janë të forta në prekje dhe të rënda për përmasat e tyre.

Si t’i ruani

Portokallet me lëkurë të trashë mund të ruhen dhe në temperaturën e mjedisit. Për t’i mbajtur në një kohë më të gjatë, futini në frigorifer. Nëse i keni në qese plastike bëni mirë që t’i hiqni dhe t’i vendosni në një vend të thatë, pasi lagështia i prish.

Këshilla shtesë
Lëngu i portokallit është i shkëlqyer, por duhet të pihet i freskët, pasi përbërësi kimik limonin që gjendet tek portokallu nëse qëndron gjatë e bën lëngun të hidhur. Gjithashtu për ta servirur si frut mund të zgjidhni metodën tradicionale të qërimit të portokallit ose duke e prerë në formë rrethore.

Domatet e vogla

Kush nuk ia kursen vetes kënaqësinë e konsumimit të domateve të vogla (qershizë). Shtojini pak vaj ulliri cilësor, pak djathë të bardhë dhe pak bukë dhe të jeni të sigurt se do t’ju shtohen dhe disa vite jetë… të paktën nga kënaqësia! Por domatet qershizë janë quajtur gjithashtu edhe 'ushqime funksionale', që na japin më shumë se thjesht elementët bazikë ushqyes. Këto fruta apo perime, quajini si të doni, parandalojnë sëmundjet kronike dhe zhvillimin e radikaleve të lira.

Çfarë përmbajnë domatet?

Domatet janë burim i pasur për vitaminën A, C dhe acidin folik. Ato përbajnë dhe shumë antioksidantë si beta-karoten, luteinë, kolinë etj. Të pasura me vitaminë C dhe antioksidantë të tjerë, domatet ndihmojnë në parandalimin e formimit të qelizave të këqia. Ato përmbajnë lycopene, një lëndë që është lidhur me parandalimin e problemeve të prostatës. Fibrat, kaliumi dhe vitamina C janë lëndë të cilat ndihmojnë në shëndetin e zemrës. Konsumi i tyre rekomandohet edhe për personat që vuajnë nga diabeti, pasi domatet kanë sasi të madhe fibrash. 

Si të zgjedhim domatet qershizë?

Zgjidhni domate me ngjyre të kuqe të fortë, pa rrudha apo pjesë të zbutura.

Si të ruajmë domatet qershizë?

Sa prej jush nuk i fusin domatet në frigorifer? Shpresojme të jeni të shumtë, pasi kjo gjë nuk duhet bërë asnjëherë. I ftohti prish shijen e domateve dhe për këtë arsye ato duhet të ruhen në temperaturën e dhomës.

Arra e lajthi

Amvisat i konsiderojnë arrorët si element kryesor në kuzhinë, njësoj si mielli apo gjalpi. Pavarësisht se arrat dhe lajthitë i kemi gjatë të gjithë vitit, gjatë sezonit të tyre ato kanë një shije unike.

Si t’i zgjidhni

Lajthitë dhe arrat e reja i gjeni në treg. Si t’i dalloni? Shumë thjesht. Ato janë të mbështjella me lëvoren e tyre karakteristike jeshile që rrethon lëvozhgën.

Si t’i ruani

Lajthitë dhe arrat e hapura mund të ruhen në temperaturën e mjedisit për disa javë.

Këshilla shtesë
Lajthitë mund t’i shijoni siç janë ose mund t’i përdorni në ëmbëlsira apo gatime të tjera. Do t'i japin më shumë shije dhe aromë ushqimit tuaj.

Sigurohuni të zgjidhni frutat dhe perimet e kultivuara në vend, pasi janë të sezonit dhe krejt të freskëta./AgroWeb.org