Edhe pse me këmbë në ujë, bujqësia shqiptare sërish ka arritur të hipë në fron. Volumi i tregëtisë dhe eksportet e larta e kanë bërë sektorin bujqësor të përjetojë një rritje impresive në vitin 2015. Rritja në volumin tregëtar në 9 muajt e parë të vitit ishte 83 miliardë lekë, me një rritje prej 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, ndërkohë që eksportet janë ato që kanë nderuar sektorin dhe pasuruar fermerët e agropërpunuesit. Gjatë vitin 2015 eksportet kanë pësuar një rritje me 45.2%, me bimët medicinale dhe fruta-perimet si produktet më të eksportuara, të cilat në fakt përbëjnë gati dy të tretat e të gjithë vlerës.

“Bujqësia ka shënuar një rritje dhe kam arsye që të jem i kënaqur, pasi viti i kaluar filloi në mënyrë më të keqe të mundshme me përmbytjet në jug të vendit, që sollën kosto për fermerët dhe tregëtinë”, është shprehur optimist Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti gjatë prezantimit të analizës vjetore të Ministrisë në një konferencë për median.

Por edhe pse numrat e eksportit janë pozitive, sërish bilanci tregëtar vazhdon të jetë negativ, megjithëse për periudhën në shqyrtim ka patur një përmirësim të lehtë me 0.9% ku raporti eksport/import është përmirësuar duke qenë në nivelin 1:5 (2015) nga niveli 1:6 (2014).

“Duhet theksuar se rritja në bujqësi tregon dhe për rëndësinë që ka ky sektor për ekonominë. Sigurisht që kemi shumë për të bërë dhe shumë sfida na presim, por ne jemi të angazhuar që ky sektor të jetë një sukses”, vuri në dukje Ministri Panariti.

Ministri Panariti gjatë konferencësNjë nga sfidat më thelbësore të sektorit mbeten siguria ushqimore dhe financimi, të cilat janë kyçe për të siguruar rritjen dhe si një mundësi për t’u hapur ndaj tregjeve të reja evropiane në të ardhmen. “Për sa i përket sigurisë ushqimore , konsumatorët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë më të sigurtë për sa i përket sigurisë ushqimore. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të punojnë me reformën e shërbimit veterinar dhe në një rritje të sigurisë në tërësi”.

Por përveç rritjes së sigurisë ushqimore që gëzon konsumatorët, një tjetër rritje do të gëzojë fermerë; financimi. Përveç skemave të subvencionimit nga qeveria dhe fondeve të Bashkimit Evropian IPARD, do të jetë dhe Fondi i Garancisë nga BERZH, që do të ndihmojë në lehtësimin e kreditimit të fermerëve që kanë vështirësi kreditimi. “Jemi në hapat e fundit të procesit dhe deri më tani kemi rreth 70 projekte që presin financim”, theksoi Panariti.

“Fondi i Garancisë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural” I cili kap shifrën e 75 milion Euro, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe BERZH-in, do të adresojë mungesën e kolateralit si problem kreditimi tek fermerët si dhe do të stimulojë bankat që të rrisin aktivitetet e tyre kredituese në bujqësi, në mënyrë që të zhbllokohet ky sektor kaq i rëndësishëm për ekonominë.
Sfidat që e presin bujqësinë gjatë këtij viti janë të shumta, duke nisur që nga krijimi i një strategjie të qartë për të menaxhuar përmbytjet, të cilat po kërcënojnë vendin gjatë këtyre ditëve, tek prodhimet blegtorale të cilat janë lënë në harresë, si nga politikat për këtë sektor ashtu dhe nga investimet./AgroWeb.org/

Burimi: Ministria e Bujqësisë.