Tirana mbetet një nga qytetet më të ndotura në Evropë. 500 njerëz vdesin në vit si pasojë e ndotjes së lartë të ajrit në Tiranë, e cila është dy herë më e lartë se normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Tirana, qyteti i më shumë se një milionë njerëzve dhe më shumë se 190.000 makinave që qarkullojnë në ditë, me ndotjen e ajrit po kthehet në një kërcënim për banorët e tij. Në një artikull të publikuar së fundmi nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP) problem i ndotjes së ajrit shihet nga pikëpamje të ndryshme: nga ajo e njerëzve që vuajnë nga sëmundjet e shkaktuara nga smogu, e ekspertëve që e analizojnë problemin në kosto dhe e zyrtarëve të lartë që përpiqen të gjejnë një zgjidhje. Historia e një prej viktimave të ndotjes së ajrit në Tiranë vjen më poshtë në artikullin e AFP.

Me vajzën e sëmurë në krahë, Mirela Lela nxiton nëpër korridorin e gjatë të klinikës që gëlon nga pacientët e sëmurë nga ajri i ndotur i kryeqytetit shqiptar.
“Eshtë rast urgjent, ajo ka vështirësi në frymëmarrje”, thotë gruaja me lot në sy, ndërsa shtyn me forcë derën e dhomës së mjekut Bardhyl Vaqari, i cili ka punuar për më shumë se 20 vjet në klinikën e specializuar në Tiranë.

“Një atak azme akut”, thotë mjeku pasi viziton fëmijën.

“Numri i njerëzve me alergji të aparatit të frymëmarrjes dhe problemet kardiovaskolare është rritur në mënyrë të ndjeshme”, thotë ai për AFP, duke shtuar se numri i pacientëve që vizitojnë klinikën është dyfishuar duke arritut në 8.000 në katër vitet e fundit.

Ndërkohë që jashtë në rrugët e zhurmshme, kamionët e tonazhit të rëndë dhe Hummer-at shkëmbehen me Mercedez apo BMW, ndërsa autobuzët e tejmbushur lëshojnë tym të zi dhe erë të rëndë.

Gjatë kohës së komunizmit deri në vitin 1991, qyteti kishte shumë pak makina në rrugë. Por sot, mes një përzierjeje të krenarisë dhe kërkimit të luksit dhe nevojës, duke marrë në konsideratë dhe mungesën e transportit publik, ka më shumë se 190.000 makina që qarkullojnë në një qytet me më shumë 1 milion banorë.
“Shqiptarët marrin makinën edhe për të shkuar për të blerë bukë në dyqanet aty afër. Për këtë arsye dhe trafiku është i mbingarkuar gjatë të gjithë ditës, duke rritur nivelin e ndotjes së ajrit”, thotë i dëshpëruar shitësi 65 vjeçar Altin Duka.

Vjetërsia mesatare e automjeteve në Tiranë, sipas Gani Çupi, zv/drejtor i Shërbimit të Transportit Rrugor, është rreth 16 vjeçare, dy herë më e madhe se mesatarja evropiane. Shumica e automjeteve nuk i përmbushin standardet e Bashkimit Evropian, të cilit shpreson t’i bashkohet Shqipëria.
“Ngarkesa e trafikut, vjetërsia e makinave, kushtet e tyre teknike, por gjithashtu cilësia e dobët e karburantit janë të gjithë faktorë kontribues në ndotjen e ajrit në kryeqytet”, thotë Çupi.

Dilema e taksimit

Në një përpjekje për të pastruar ajrin, autoritetet shqiptare konsideruan dyfishimin e taksave për automjetet e vjetra, por më pas e lanë këtë plan. Analistët sugjeruan se kosto do të peshonte shumë tek qytetarët e një prej vendeve më të varfra të Evropës.

Makinat e reja janë tashmë të përjashtuara nga pagimi i taksës vjetore për tre vitet e para, por autoritetet në vitin 2012 hoqën një taksë për importin e automjeteve të vjetra, të cilën BE-ja e konsideroi një "diskriminim fiskal".

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është angazhuar të luftojë kundër ndotjes, duke rritur numrin e hapësirave të gjelbra, duke futur autobuzë hibridë dhe duke përmirësuar infrastrukturën e qytetit, që është e mbushur nga ndërtimet e paligjshme.

“Numri i automjeteve nuk pushon së rrituri”, tha ai për AFP, duke theksuar se 500 njerëz vdesin çdo vit në qytet “për shkak të problemeve të frymëmarrjes dhe atyre kardiovaskolare që kanë lidhje me ndotjen”.

Një raport i Agjencisë Evropiane të Mjedisit tregon për një rënie 20-30% të nivelit të PM10 dhe PM2.5, që janë grimcat dëmtuese, sipas të dhënave nga viti 2011 në vitin 2013.

Por Laureta Dibra, shefe e departamentit të ajrit dhe ndryshimeve klimatike në Ministrisë e Mjedisit në Shqipëri, është shprehur për AFP se niveli i PM10 është rritur në zona me trafik të rënduar në vitet e fundit.

Tirana mbetet “një nga qytetet më të ndotura në Evropë”, shtoi drejtori i Agjencisë së Mjedisit, Julian Beqiri. “Niveli i ekpozimit të popullatës ndaj ndotjes është akoma një problem”, tha ai.

Me biçikleta

Në një përpjekje për të përmirësuar cilësinë e ajrit në kryeqytet dhe për të edukuar qytetarët, Tirana ka organizuar dy herë deri tani ditën pa makina, dhe thuhet se ajri në këto ditë ishte të paktën katër herë më pak i ndotur se zakonisht.

Aktivistë të shqetësuar për ndotjen janë duke promovuar biçikletën si një mjet transporti dhe një mënyrë jetese.

Ecovolis, jep me qera të paktën 200 biçikleta nga stacione të ndryshme të Tiranës për 60 lekë për një orë, por sërish shumë njerëz preferojnë të qëndrojnë pas timonit.

Edhe pse ministri shqiptar i energjisë pohon se 90% e karburantit është në standardet e kërkuara, vetë kryeministri Edi Rama e sulmoi cilësinë e tyre në majin e vitin të kaluar, thotë AFP.

“Eshtë kaq keq, sa dhe një makinë Mercedes shumë e fortë përfundon të jetë e dëmshme për mushkëritë e shqiptarve”, është shprehur kryeministri, duke kërkuar që të merren masa urgjente në përmirësimin e kontrollit të karburanteve.

 

Artikulli është publikuar fillimisht nga AFP dhe përshtatur nga Agroweb.