Në një udhëtim që zgjat jo më shumë se dy orë e gjysëm nga Tirana në veri të qytetit të Shkodrës, diku mes malit dhe liqenit, pa kuptuar e gjen veten në Koplik. Një fshat, që përveç tokës së kuqe dhe gurëve gëlqerorë, ka dhe një reputacion tjetër që shkon përtej madhësisë modeste të kësaj zone. Bimët medicinale që rriten në të egër mes gurëve të kësaj zone kanë bërë që ky fshat i vogël në Malësinë e Madhe përveç aromës së sherebelës e livandos të mbajë dhe aromë suksesi.

Sektori i bimëve medicinale iu siguron të ardhura me mijëra familjeve që merren me grumbullimin dhe mbledhjen e bimëve të egra dhe të kultivuara, pastrimin dhe magazinimin e tyre. Nga vlerësimet e fundit del se në këtë sektor janë përfshirë mbi 100,000 familje dhe në Shqipërinë e Veriut, puna me bimët medicinale siguron rreth 35 përqind të të ardhurave të një familjeje. Përveç kësaj, Shqipëria është e pasur me specie autoktone të bimëve medicinale, ku 15% e 360 specieve bimore janë mjekësore, aromatike dhe erëza.

Një nga sfidat kryesore për kultivuesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale dhe aromatike ka qenë prej kohësh nevoja për sipërfaqe më të mëdha magazinimi për mbrojtjen e bimëve nga kontaminimi, që ul cilësinë dhe vlerën e tyre në shitje.

Përmes donacionit të Ushtrisë Amerikane dhe USAID, tashmë fermerët e kësaj zone do të mund të sigurojnë prodhimin e tyre, duke patur në dispozicion një sipërfaqe të pastër dhe të thatë për përpunimin dhe magazinimin e bimëve të grumbulluara.

“Shqipëria ka shumë mundësi për të rritur sektorin duke parë më shumë mundësi për eksport në tregjet ndërkombëtare. Në mënyrë që të bëjë këtë, është e rëndësishme që Shqipëria të mbrojë cilësinë e farërave, fidanëve dhe bimëve. Fermerët duhet ta diversifikojnë më shumë prodhimin e tyre, duke mos u përqendruar vetëm tek sherebela. Kjo, në një farë mënyre do të shmangte mbi prodhimin që ka ndodhur kohët e fundit dhe do të rriste mundësinë për të shitur produktet me çmime optimale në treg”, është shprehur gjatë ceremonisë së përurimit të magazinave në Koplik, Drejtori i USAID për Shqipërinë, Marcus Johnson.

Në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria e Bimëve Aromatike Medicinale (BAM), USAID dhe partneri i saj lokal, AAC-Lushnja, po zbatojnë një sërë aktivitetesh të prodhimit dhe marketingut në rajon, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen për shoqatën LUJZ, për të marrë çertifikimin BIO të bimëve si edhe për rritjen e numrit të këtyre bimëve që kultivohen për qëllime tregtare.

Vetëm në Koplik, ka katër qendra të grumbullimit dhe përpunimit për bimët mjekësore dhe aromatike, të cilat i sigurojnë zonës afro 6 milion euro në vit. Bima më e rëndësishme për sektorin është sherebela, e cila përbën rreth 50 për qind të të gjitha eksporteve, me një vëllim të vlerësuar prej 2,000 deri në 2,500 ton në vit. Produkte të tjera të rëndësishme përfshijnë rigonin, trumzës duke e bërë Shqipërinë një lojtar të madh ndërkombëtar në treg.

Rritja e kërkesës për bimë mjekësore dhe aromatike është një sfidë për industrinë e prodhimit të këtyre bimëve, të cilave u duhet të menaxhojnë sasinë e kërkuar kundrejt cilësisë. Standardet ndërkombëtare të cilësisë përbëjnë një nga sfidat më të rëndësishme, sepse një pjesë e mirë e produkteve të mbledhura prej popullsisë së zonave rurale përmban gurë dhe barishte. Konsoliduesit duhet të investojnë në përftimin e njohurive të duhura dhe teknologjisë që do të ulte sasinë e mbetjeve dhe do të rriste cilësinë e produkteve të tregëtuara.

Sherebela, e cila është karakteristikë e zonës së Koplikut përbën rreth 70% të tregut amerikan, ndërkohë që tregje të tjera që kërkojnë bimët tona janë dhe Franca, Gjermania dhe Italia. Qoftë për cilësinë qoftë për faktin që bimët tona rriten në të egër në natyrë, fakt është që bimët medicinale shqiptare mbajnë erë suksesi kudo që shkojnë në botë.