Një sërë studimesh kanë treguar se njerëzit, të cilët konsumojnë rregullisht fruta të thata arrore kanë më pak rrezikshmëri ndaj të gjitha rasteve të sëmundjeve me rreth 23% të rriskut, krahasuar kjo me njerëzit të cilët nuk i konsumojnë.

Përdorimi i arrorëve është shumë i rëndësishëm edhe në pranverë, pasi garanton një qarkullim më të mirë të gjakut gjatë stinës. 

Shqipëria është e bekuar me pemishte arrorësh në të gjithë vendin, nga Veriu në Jug, plot me arra, bajame, lajthi, gështenja. Arrorët janë një ushqim perfekt për t’u konsumuar në mëngjes dhe një alternativë e mirë ndaj ushqimeve të konservuara. Por që mbi të gjitha na bëjnë mirë për shëndetin. AgroWeb ju shpjegon pse dhe si:

Frutat arrore janë të pasura me energji dhe vlera ushqyese. Ato janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore, të cilat ndihmojnë për të ulur nivelin e kolesterolit. Studimet tregojnë se dietat mesdhetare të cilat janë të pasura me produktet arrore (arra, lajthi, bajame) parandalojnë sëmundjet koronare arteriale, duke favorizuar profile të shëndetshme të lipideve të gjakut. 

Ato janë burim i pasur i acideve yndyrore omega-3, tejet të rëndësishme për një jetë të shëndetshme. Studimet kanë sugjeruar se këto yndyrna shërbejnë edhe si anti-inflamatorë, duke ndihmuar në këtë mënyrë për të ulur rrezikun e presionit të gjakut, sëmundjeve arteriale koronare, hemoragjisë cerebrale, kancerit të prostatës dhe të zorrës. Acidet yndyrore Omega-3 gjithashtu ndihmojnë në rastet e sëmundjeve të reumatizmës, si dhe në rastet e  depresionit dhe sëmundjes së Alzheimer.

Frutat arrore kanë flavonoide si karotenë, lutein, etj, komponentë këto që ofrojnë mbrojtje kundër kancerit, sëmundjeve të zemrës, sëmundjeve nervore dhe atyre virale/infeksioneve fungale. Studimet tregojnë se tek arrorët, veçanërisht tek kikirikët, përbërës si resveratrol zvogëlojnë rrezikun e goditjeve nga alterimi i mekanizmave molekulare në enët e gjakut. Ato ulin ndjeshmërinë ndaj dëmtimit të enëve të gjakut.

Vlerat ushqyese të frutave arrore janë të plota, pasi përveç kalorive dhe vitaminave, ato janë dhe një burim i pasur me minerale si manganezi, kaliumi, kalciumi, hekuri, magnezi, zinku, fluori dhe selenium. Kaliumi është një faktor i rëndësishëm i qelizave dhe lëngjeve të trupit, që ndihmojnë në kontrollimin e rrahjeve të zemrës dhe të presionit të gjakut. Fluori nga ana tjetër është një përbërës thelbësor në shëndetin e dhëmbëve tanë.

Mbi të gjitha frutat arrore janë shumë të pasura me vitaminë-E, një antioksidant shumë i fuqishëm. Vitamina E, është e nevojshme për të ruajtur integritetin e membranës së qelizave, të membranës së lëkurës, duke e mbrojtur nga radikalet e lira./AgroWeb.org