Demokracia e qumështit. Kështu e ka cilësuar nivelin e konsumit të qumështit në Shqipëri, para dhe pas viteve 90’, një prej studimeve të fundit italiane lidhur me këtë produkt. Studimi veçon rastin e Shqipërisë si shumë specifik; Shqipëria renditet e katërta në nivel global për konsumin e qumështit për frymë.

“Nëse të dhënat mbi qumështin do të ishin tregues të demokracisë, ne mund ta quanim demokraci e qumështit”, thotë studimi. Sigurisht, duke lexuar të dhënat e FAO, të cilat i referohen statistikave kombëtare shqiptare, çdo vit duket se shënon një tendencë. Duket se sa më shumë njerëzit konsumojnë qumësht, aq më shumë vendi ku jetojnë i largohet menaxhimit diktatorial të pushtetit.

Duke iu refereruar pikërisht të dhënave për Shqipërinë nenvizohet se në vitin 1961, çdo person konsumonte mesatarisht 97,66 litra qumësht në vit. 20 vjet më vonë, ende nën regjimin diktaktorial, por me diktatorin e sëmurë, ky konsum shkonte deri në 133,98 litra. Në 2011, tashmë në demokraci, shifra shpërthen duke arritur në 301,2 litra për frymë. Thënë ndryshe, vendi i katërt në nivel botëror.

Lista kryesohet nga Hollanda, Mali i Zi e Lituania. Po si ka mundësi që shqiptarët dhe malazezët, por edhe lituanezët apo rumunët, që janë gjithsesi në krye, kanë rritur kaq shumë konsumin e qumështit? Studimi vëren se varësia më e madhe i takon menaxhimit të të ushqyerit me racion, në periudhat e diktaturës.

Por ka edhe një shpjegim të dytë; tradita e gatimit. Mes gatimeve të kripura dhe gatimeve të ëmbla, qumështi është një element bazë në shumë prej pjatave të Ballkanit deri në Veri të Evropës. Thjesht kujto vetëm llojet e byrekut, me qumësht, djathë, kos, gjizë dhe me të gjitha kombinimet e tjera të mundshme.

Hipoteza e dytë: njerëzit konsumojnë më shumë qumësht sepse kanë më shumë para. Por atëherë qumështi është ushqim të pasurish? Studimi ngre pikëpyetje për këtë, duke theksuar gjithsesi se konsumi i tepërt nuk është edhe aq i mirë për shëndetin.

Pse konsumon kaq shumë qumësht Shqipëria?

Kur ishim të vegjël na mësonin që qumështi ishte i mire, nuk ishte si qumështi i dallëndyshes, por ai i lopës duhej pirë medoemos, përndryshe nuk do të rriteshim dot. Kanë kaluar vite dhe prej asaj kohe janë kryer shumë studime mbi vlerat dhe kundërvlerat e qumështit. Shkencëtarët bien dakord që qumështi ka vlera të pakundërshtueshme për forcimin e kockave.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Shqipëria prodhon 1,131,156 ton qumësht në vit. Merita Uruçi, drejtore ekzekutive e Shoqatës të Qumështit dhe Mishit, ADAMA, thotë për AgroWeb se Shqipëria renditet ndër vendet me kosum mbi mesataren e vendeve të BE-së, për shkak se është një vend blegtoral. “Në tryezat tona, thotë znj. Uruçi gjen patjetër një prej nënprodukteve të qumështit në gatime. Në raportet tona kombëtare gjithnjë është vënë re niveli i lartë i konsumit të qumështit dhe nënprodukteve, duke pasur parasysh një nivel të lartë të vetëkomsumit të prodhuesve të qumështit në familjet e tyre.”

Specialistët sqarojnë për AgroWeb se është vështirë të llogaritet konsumi për frymë në Shqipëri pasi mungojnë të dhënat për konsumin e qumështit nga vetë gjedhët gjatë rritjes, si edhe konsumi i vetë familjeve fermere që kanë bagëti. Po ashtu problem mbetet edhe mungesa e të dhënave për gjurmueshmërinë dhe regjistrimin e bagëtive. Duhet të kemi parasysh edhe faktin se Shqipëria nuk eksporton qumësht për shkak të bllokimit të të gjitha produkteve me origjinë shtazore për eksport.

Po cilat janë llojet e qumështit në bazë të nivelit të yndyrës në përdorim. Lexoni listën e përgatur nga AgroWeb:

1. Qumështi me yndyrë të plotë 3.5%. Yndyra në qymësht është edhe arsyeja përse qumështi është aq kremoz dhe shijon aq shumë. Ky qumësht kryesisht i lopës zakonisht u jepet fëmijëve që kanë lënë qumështin e gjirit. Ata mund ta pijnë qumështin yndyrëplotë deri në moshën 2 vjeç. Acidet e yndyrës në këtë qumësht janë të rëndësishme për zhvillimin e trurit dhe sistemin nervor.

2. Qumështi me pak yndyrë 2%, ka më pak vlera se sa qumështi yndyrëplotë, por sërish është mjaft i shijshëm. Ky qumësht ka 10 gramë proteina për çdo gotë. Qumështi me 2% yndyrë është shumë popullor.
3. Qumështi me 1% yndyrë prodhohet duke reduktuar përmbajtjen e yndyrës së tij. Ashtu sikur edhe qumështi me 2% yndyrë, ai përzihet me qumësht të skremuar duke e pasuruar me minerale dhe vitamina. Ky qumësht është mjaft i mirë për njerëzit që janë në dietë dhe vajzat dhe gratë që kanë nevojë për një dozë të përqendruar kalciumi.

4. Qumështi i skremuar plotësisht ose qumështi pa yndyrë është qumështi që përmban më pak se ½ gram yndyrë dhe 45% më pak kalori se qumështi yndyrëplotë. Pavarësisht kësaj, qumështi i skremuar furnizon trupin me të gjithë vlerat ushqimore të qumështit yndyrëplotë.

5. Qumështi i orizit është një nga alternativat më të mira të njerëzve që vuajnë nga alergjitë e shumta. Nivelet e kalciumit në qumështin e orizit janë pothuajse të njëjta si tek qumështi i lopës. Qumështi i orizit ka nivele të ulëta yndyre dhe proteinash por është mjaft i ëmbël, dy herë më i ëmbël se qumështi i sojës.

6. Qumështi i sojës ka nivele të larta proteinash. Ai përbën një alternativë mjaft të mirë për vegjetarianët dhe konsumatorët e tjerë të cilët kanë hequr dorë nga mishi. Qumështi i sojës ka përmbajtje të madhe yndyre dhe përbën një alternativë më të mirë për fëmijët nën dy vjeç që kanë tolerancë të ulët ndaj qumështit të lopës. Qumështi i sojës ka disa elemente që janë mjaft të efektshëm në betejën kundër disa sëmundjeve të kancerit edhe pse rekomandohet që femrat që vuajnë nga kanceri i gjirit të reduktojnë konsumimin e produkteve të sojës.

7. Qumështi i bajames është një burim alternativ i marrjes së vlerave ushqyese, për të gjithë ata që nuk duan të pinë qumësht me prejardhje shtazore. Përbën burim të rëndësishëm kalciumi dhe tretet shumë lehtë. Sipas të dhënave, qumështi i bajames është një aleat i mirë i femrave që duan të bien në peshë, Për më tepër, qumështi i bajames përmban yndyrna të pangopura që ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës

Në botë ekzistojnë mbi 71 lloje qumështi për t’ju afruar nevojave specifike të konsumatorit. Sot mund të gjejmë gjithçka përveç atij qumështit të dallëndyshes që nuk e provuam kurrë./AgroWeb.org/