‘Ndryshimet klimatike janë çështje reale, po ndodhin pikërisht tani, është kërcënimi më serioz me të cilin po përballemi dhe duhet të angazhohemi të gjithë bashkë, pa u vonuar asnjë çast më shumë.’ Fjalimi pas marrjes së çmimit Oskar si aktori më i mirë, padyshim e bëri Leonardo Di Caprion të ngjitet në piedestal, përsa i përket ndryshimeve klimatike.

Të gjithë, madje edhe këtu në Shqipëri (të jemi realistë, shqiptarët përgjithësisht nuk i konsiderojnë ndryshimet klimatike si problem serioz) folën më shumë për fjalimin e tij sesa për çmimin që mori. Buja ishte aq e madhe sa mbase do kish qenë më e lehtë për të, të fitonte një Oskar për çështjen e ndryshimeve klimatike se sa priti 20 vjet për çmimin si aktori më i mirë.

Por, hidhini një sy fjalisë më poshtë.

‘Ndryshimet klimatike janë një çështje reale, në rritje, e pashmangshme dhe një kërcënim universal për të ardhmen e Tokës.’

Nuk është Di Caprio. Nuk është 2016-ta. Është pjesë nga fjalimi i Al Gore në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel për këtë çështje, në vitin 2007.

Ish Zëvendës Presidenti amerikan Al Gore, rreth 10 vjet më parë paralajmëroi se ‘ne, qeniet humane po përballemi me një emergjencë globale – një kërcënim ndaj mbijetesës së njerëzimit. Por, shtoi ai, ka edhe lajme shpresëdhënëse; ne kemi aftësinë ta zgjidhim këtë krizë dhe të evitojmë më të keqen, nëse ne veprojmë bashkë, në mënyrë të prerë dhe sa më të shpejt.’

Por mesa duket, ky kërcënim po rritet. Madje shpejt.

Shokuese. Të jashtëzakonshme. Këtë janë fjalët me të cilat ekspertët përshkruan faktin që Shkurti ishte muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë sipas të dhënave të NASA-s.

Shkurti ishte muaji më i ngrohtë krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme. 2016-a ka shumë gjasa të shënojë një rekord të ri si viti më i nxehtë, akoma më i nxehtë se 2015-ta, vit që gjithsesi shënoi një rekord nxehtësie, bazuar në matjet e sipërfaqes së tokës nga NASA.

Edhe në Shqipëri, për parashikuesit e motit, fillimi i vitit ishte një verë e vogël në mes të dimrit. Temperaturat në vend gjatë shkurtit kapën rekordin, duke arritur në mbi 27 gradë Celcius në zonat fushore dhe 21 gradë Celcius në ato malore, krejt të pazakonta për stinën.

Agjencia Hapësinore Amerikane NASA konfirmoi që Shkurti 2016 ishte jo vetëm muaji më i ngrohtë i matur ndonjëherë me një rritje prej 1.35 gradë celcius mbi mesataren afatgjatë, por ishte edhe 0.2 gradë më i ngrohtë se Janari 2016, që në vetvete theu një tjetër rekord.

Rritja në bazë mujore e temperaturave në nivel global ishte e paprecedentë thanë shkencëtarët e NASA-s, sipas të cilëve bota tani po ecën me një ritëm të frikshëm drejt nivelit maksimal të rritjes së temperaturave.

Gavin Schmid, drejtor i Institutit për Studimet Hapësinore Goddard në New York, në një postim në Twitter shkroi se zakonisht ai nuk komentonte temperaturat e muajve, sepse përgjithësisht ‘është çështje moti dhe jo shumë çështje klime’ por muaji i kaluar ishte ‘krejt i veçantë’. Ai e përmblodhi reagimin e tij lidhur me temperaturat e Shkurtit, duke shkruar thjesht ‘Uau’.

Gjatë muajit Shkurt temperaturat globale patën një rritje të madhe, veçanërisht në hemisferën veriore ndërkohë që akujt në Arktik po shkrihen me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në këtë shekull. Shkencëtarët paralajmërojnë që ndryshimet klimatike ndikohen kryesisht nga emetimi i gazeve serë.

Sipas të dhënave, bota është tashmë në një krizë të mirëfilltë klimatike. Liderët botërorë dhe qeveritë e tyre u mblodhën në Paris vitin e shkuar dhe premtuan të reduktojnë emetimin e gazeve serë dhe ka ardhur koha të mbajnë premtimin sipas Stefan Rahmstorf, shkencëtar i Institutit të Potsdamit mbi Ndryshimet Klimatike.

Në samitin e Klimës që u mbajt në Paris në Dhjetor të 2015, pjesëmarrësit konfirmuan se limiti i rritjes së temperaturat globale do të ishte 2 gradë dhe se ata do të përpiqeshin fort ta ulnin atë në 1.5 gradë. Ky objektiv tani duket pak i ekzagjeruar, kur vetëm për shkurtin temperaturat u rritën me 1.5 gradë.

Sipas raporteve të NASA-s, ritmet e rritjes së temperaturave globale janë të frikshme. Edhe viti 2015 u cilësua si viti më i ngrohtë i të gjitha kohërave me temperatura më të larta të regjistruara ndonjëherë që nga viti 1850.

I njëjti trend rritjeje, fatkeqësisht po vihet re edhe në vitin aktual. 2016-a mesa duket do të thyejë rekordin e 2015-ës!/AgroWeb.org/