Qitroja ka një shije të mprehtë thartoshe, por me një ëmbëlsi që të befason. Ajo që të bën më shumë përshtypje tek qitroja është fakti se lëngu i këtij fruti është rivali kryesor i lëngut të portokallit, që deri më sot mban fronin e lëngut më të shëndetshëm në botë.

Qitron e gjejmë në treg gjatë gjithë vitit, por fruti më i mirë është ai i periudhës së dimrit deri në pranverë. Shqipëria është një vend i bekuar sa i përket kushteve klimaterike të nevojshme për një prodhim të mirë të qitros, e megjithatë mandarinat dhe portokallët janë ndër agrumet me prodhimtari më të lartë. Kjo për shkak të konsumit të ulët të qitros në vend dhe preferencave të konsumatorit ndaj shijeve më të ëmbla.

Sidoqoftë, vlerat fantastike të qitros po kthehen në një faktor të rëndësishëm në rritjen e konsumit të qitros. Nga ana tjetër, tregu dominohet nga prodhimet e importit, kryesisht nga Greqia dhe Turqia. Në Tregun Agro-Ushqimore të Tiranës, një kilogram qitro kushton 130 Lek, pothuaj njësoj sa limoni i importit.

Qitrot kanë një diametër nga 10 në 15 centimetra. Frutin e gjen me fara ose pa fara dhe në ngjyrë rozë apo të bardhë. Shija dhe aroma e qitros është një parajsë, një krahasim i frymëzuar nga emri latin i frutit Citrus Paradisi. Citrus Paradisi është një kultivar hibrid i Citrus Medica, qitro origjinale, ajo e tharta dhe e hidhura, nga e cila kanë rrjedhur Citrus Maxima, që njihet si Pomelo dhe Citrus Paradisi, ose grejpfruti. Në tregun e sotëm të frutave, pak diferencë bëhet mes pomelos dhe grejpfrutit dhe kategorizohen si qitro.

Qitro futet në familjen e agrumeve bashkë me limonin dhe portokallin. Qitro kategorizohet në bazë të ngjyrave: e bardhë, rozë ose e kuqe e thellë (tuli i kuq është zakonisht më i ëmbli).Megjithatë, ky kategorizim nuk ka shumë të bëjë me ngjyrën e lëkurës që në vetvete është në nuancat e të verdhës apo të rozës së çelur. Ngjyrat e mësipërme përdoren për të përshkruar ngjyrën e tulit.

Qitroja u zbulua për herë të parë në Barbados në shekullin e 18-të. Botanistë të shumtë janë të mendimit që qitroja është në fakt rezultat i një kryqëzimi rastësor i portokallit të zakonshëm të ëmbël dhe portokallit pomelo që rritet në vendet ekzotike si Indonezia apo Barbados. Fruti që doli nga ky bashkim agrumesh mori emrin “GrapeFruit” në vitin 1814 në Xhamaica. Emri në fakt reflekton mënyrën e rritjes së qitros, që varet në vreshta si rrushi.

Para konsumimit, këshillohet që qitro të lahet me ujë të freskët, duke qenë se gjatë prerjes bakteret që gjenden në lëkurë mund të transferohen tek pjesa e tulit të ngrënshëm.

Vlerat e Qitros

Qitro është një burim i jashtëzakonshëm i vitaminës A dhe C. Ajo gjithashtu përmban acid pantotenik, bakër, fibra, potas, biotinë dhe vitamin B1.

Vitamina C që gjendet me bollëk tek qitroja ndihmon sistemin imunitar. Ushqimet e pasura me vitaminën C, siç është qitroja ndihmojnë në luftimin e virozave, të ftohtit dhe gripit.

Ngjyra rozë e ndezur ose e kuqe tek tuli i qitros vjen si pasojë e pigmentit likopen. Ky i fundit nuk gjendet tek qitroja me tul të bardhë. Pigmenti është i njohur për aftësitë anti-kancerogjene dhe ka kapacitetin më të lartë për të luftuar radikalet e lira që dëmtojnë qelizat në trup.

Qitroja përmban pektinë, një fibër e tretshme që njihet për aftësitë në uljen e kolesterolit. Qitroja me tul të bardhë dhe qitroja me tul të kuq duhet të përdoren për të ulur nivelin e kolesterolit të keq.

Qitroja me tul të kuq ndihmon gjithashtu në uljen e triglicerideve. Ata që vuajnë nga gurët e veshkave nuk duhet ta ndajnë qitron nga ushqimi i tyre. Një studim i British Journal of Nutrition zbuloi se kur femrat konsumonin deri në një litër lëng qitroje, molle dhe portokalli në ditë, ishin ndjeshëm më pak të rrezikuara nga formimi i gurëve në veshka./AgroWeb.org