Më 1 Prill është pak e vështirë të ndash të vërtetën nga gënjeshtra. Dhe kur në twitter një lajm nis të bëhet viral, mendimi i parë është që është një shaka. Kështu ndodhi dhe këtë 1 prill, kur u bë publik lajmi se Kosova me në fund kishte nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Por perden e gënjeshtrës së 1 Prillit e hoqi menjëherë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila bëri vetë publik lajmin. “MSA u nënshkrua me Kosovën dhe kjo i hap rrugë një faze të re të marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës dhe mezi po e pres implementimin e saj”, tha qartë Mogherini.

Dhe sakaq lajmi mori dhenë, që nga mediat sociale tek institucionet më të larta politike. Politikanë të të gjitha kombësive në BE dhe kaheve politike e përkrahën dhe mbështetën marrëveshjen, duke e konsideruar një moment historik që do të përshpejtojë reformat dhe do të krijojë mundësi për zhvillimin e tregëtisë dhe rritjen e investimeve.

U fol shumë dhe gjatë për MSA, por të gjithë ranë dakord në një pikë; që sektori i cili do të përfitonte më së shumti prej saj do të ishte bujqësia.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), Kosova ka arritur të negociojë lirimin nga taksa doganore për eksportin e pothuajse të gjitha produkteve bujqësore të vendit, në tregun e 28 vendeve të BE-së. “Janë rreth 2 mijë e 560 produkte bujqësore të cilat Republika e Kosovës mund t’i eksportojë në BE pa tarifë doganore që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes”, ka sqaruar ministri i Integrimit në Kosovë, Bekim Çollaku.

Për Memli Krasniqin, ministrin e bujqësisë së Kosovës kjo marrëveshje do të bëjë të mundur rritjen e tregëtisë me vendet e Bashkimit Evropian, por edhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Kosova, është partneri i dytë në eksportet e Shqipërisë me 9.1% të totalit, pas Italisë që zë 48.3% të totalit të eksporteve.

“Për ne bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri është i një rëndësie shumë të veçantë, më domethënës dhe emocional, kjo edhe nga aspekti tradicional, kombëtar dhe vëllazëror”, u shpreh zv ministri i bujqësisë së Kosovës, Vezir Januzi gjatë takimit me ministrin shqiptar të bujqësisë, Edmond Panariti, të mbajtur pak ditë më parë në Pejë të Kosovës.

“Ky bashkëpunim duhet te intensifikohet dhe zgjerohet edhe më shumë, Ne mundemi të bëjmë edhe me shume së bashku, i kemi të gjitha mundësitë dhe parakushtet dhe e kemi obligim kombëtar të punojmë dhe bashkëpunojmë edhe më shumë për zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies në dy vendet”, theksoi më tej Januzi në fjalën e tij.

Pavarësisht rritjes 50% të vëllimit të mallrave të eksportuara nga Shqipëria në Kosovë, pritet një rritje e eksportit të mallrave kosovare në Shqipëri, sidomos pas nënshkrimit të MSA-së, e cila do të rrisë investimet e huaja direkte dhe do të inkurajojë fermerët që të prodhojnë më shumë.

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur me 20 milionë euro më shumë gjatë vitit 2015, krahasuar me vitin 2014. Gjatë vitit 2015, eksportet e Kosovës në Shqipëri janë vlerësuar në një vlerë prej 60 milionë euro, ndërsa importet shqiptare janë vlerësuar në vlerë prej 200 milion euro.

Aktiviteti i ndërsjelltë ekonomik është rritur në drejtim të eksporteve dhe importeve dhe kryesisht të produkte bujqësore. Pavarësisht nga kjo, bizneset e të dyja vendeve kanë hasur ende barrierat burokratike në pikat e kalimit në kufi.

Në shtatorin e vitit të kaluar të dy ministrat e bujqësisë u takuan dhe ranë dakord që t’u jepet fund këtyre pengesave, duke qenë se kanë ndikim direkt tek të dy vendet.

Pas takimit, Ministria e Bujqësisë e Shqipërisë doli me një deklaratë për shtyp, ku ministri Edmond Panariti zotohej që barrierat nga pala shqiptare do të hiqeshin. “Ne kemi rënë dakord që t’i japim fund të gjithë burokracive dhe barriereva të panevojshme, që ne kemi vënë re, siç ka qenë rasti i tregëtimit të miellit mes tregëtarëve shqiptarë e kosovarë”, deklaroi ministri Panariti, i cili nuk harroi të përshëndesë homologun Krasiniqi për statusin ekskluziv që i kanë dhënë eksporteve në Shqipërisë në Kosovë.

Një dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën, thotë një shprehje e vjetër popullore, që duket se zë vend në kontekstin e ri të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Dikur ne e thërrisnin veten Arbër, që sipas një agronomi nga Kosova do thotë Arë dhe Bëj, pra punoj arën. E jo më kot i këndonim tokës, arave të punuara më grurë dhe bareshave të bukura.

Sot ne vërtet nuk kemi baresha, por tokën dimë ta punojmë dhe sipërmarrja e përbashkët do të na çojë më shpejt drejt BE-së, destinacionit tonë të përbashkët./AgroWeb.org/