9 Mënyra për të Shpëtuar Portofolin dhe Botën

184 0

Qëndrueshmëri do të thotë aftësi për të rezistuar gjatë.  Por sa të aftë jemi ne si qenie njerëzore të rezistojmë gjatë duke bërë një jetë aspak të qëndrueshme? Faktikisht, që prej 13 gushtit ne tashmë kemi ezauruar plotësëisht rezervat e burimeve natyrore për vitin 2015. Qëndrueshmëria si koncept zhvillimi, shpesh shihet si përgjegjësi e bashkive, autoriteteve vendore, bizneseve dhe urbanistëve, kur përkundrazi, ky koncept duhet të bëhet një standard i jetës sonë të përditshme.

Mënyrat e jetesës së qytetarëve, qofshin këta banorët e Tokios apo të Tiranës, gjithmonë e më shpesh karakterizohet nga parashtesa “mbi”: ne mbi-konsumojmë, mbi-ngasim makinat, mbi-ndosim mjedisin, krijojmë mbi-kaos, etj.  Është e vërtetë se duke bërë ndryshime në jetën e përditshme për të krijuar më tepër praktika të qëndrueshme, sigurisht që nuk do vijë një përmirësim i menjëherëshëm por, sigurisht që do të jetë një vlerë e shtuar në përpjekjen globale për të shpëtuar planetit ku ne jetojmë.

AgroWeb ju ofron disa disa praktika të thjeshta të cilat mund t’i bëni pjesë të jetës tuaj për ta bërë atë më të qëndrueshme:

1.Mos e ler ujin të rrjedhë kot gjatë larjes së enëve, larjes së dhëmbëve apo gjatë dushit. Duke e lënë rubinetin të hapur gjatë kohës që lan dhëmbët për shembull, harxhon rreth 6 lira ujë në minutë.

2.Stakoji pajisjet eketrike kur nuk i përdor ato (këtu përfshihet edhe karikuesi i telefonit apo kompiuterit). E ashtu-quajtura  energjia fantazëm, në faturën tuaj në fund të muajit, mund të shkojë më tepër se 10% e vlerës.

3.Makinën larëse përdore për të larë sasi të plota rrobash, mundësisht në temperatura të ulëta. Kjo praktikë ruan shumë energji.

4.Izoloje shtëpinë. Izolimi  i mureve, dyshemesë, çatisë ose dritareve parandalon mbingrohjen gjatë verës dhe ftohjen ekstreme gjatë dimrit si dhe ul nivelin e ndotjes akustike. Izolimi mund të ulë koston e energjisë për ngrohje apo ftohje të shtëpisë me rreth 40%.

5.Përdor sa më rrallë mjete një-përdorimshe. Zgjidh një gotë qelqi në vend të një gote plastike ose përdor shishe plastike të ripërdorshme në vend që të blesh nga një të tillë  sa herë ke etje. Ripërdorimi i shisheve plastike, mund të jetë i rrezikshëm për shëndetin kështu që, mëso të dallosh cila plastikë është e ripërdorshme. Zgjidh peceta rrobe në vend të atyre prej letre, shijoje akulloren në kaush dhe jo në kupë, merr me vete trastën tënde të ripërdorshme kur shkon në treg.

6.Nëse e ke të mundur, riciklo. Duke ricikluar (plastikën, kanaçet dhe qelqin) së pari, do të thotë t’u japësh gjërave një jetë të dytë. Duke marrë pjesë në iniciativat e riciklimit, ti kursen energjinë. Të krijosh produkte nga mjetet e ricikluara shpenzon më pak kohë dhe energji sesa prodhimi i tyre nga lënda e parë. Përveç kësaj, reduktimi i përmasave të landfildeve të mbetjeve, sigurisht që ndikon në rritjen e cilësisë së ajrit që ne thithim. Mund të mësosh më tepër mbi riciklimin në Shqipëri, duke klikuar këtu.

7.Mblidhe ujin. Nëse jeton në fshat ose ke serrë, mblidh ujin e shiut për ta përdorur për ujitjen e bimëve, lëndinës apo kopshtit. Përdorimi i ujit të pijshëm për nevojat e bujqësisë përbën problem të madh: rreth 60% e rezervave të ujit të freskët në Shqipëri përdoret për ujitje dhe për nevoja të tjera bujqësore.

8.Ngit më shpesh biçikletën. Ec më gjatë. Mos e përdor makinën për lëvizje të shkurtra që mund të bësh gjatë ditës sepse kjo ndikon në reduktimin e ndotjes dhe përmirëson shëndetin tënd. Ecja dhe çiklizmi konsiderohen të jenë mes ushtrimeve më të thjeshta e më të shëndetshme njëkohësisht, në të qenit më i aftë dhe i zhdërvjellët.

9.Ferma urbane. Mbjellja e një kopshti të vogël personal në ballkon po shndërrohet në hit me përhapjen e vet. Madje edhe kompani të  mëdha, po e praktikojnë këtë, nëpër taracat e godinave të tyre. Praktika e fermës urbane, jo vetëm siguron një sallatë të shëndetshme në tavolinën e drekës, por gjithashtu përmirëson jo pak cilësinë e ajrit që thith.

Në botë, ka një prirje, dukshëm në rritje, për të lëvizur drejt praktikave të zhvillimit të qëndrueshëm. Gjatë udhëtimeve të mia nëpër vende të ndryshme  dhe veçanërisht këtu në Shqipëri, kam pikasur një prirje, e cila, për shumë prej jush mund të jetë e çuditshme. Për mua shqiptarët më “trendy“, në fakt nuk janë adoleshentët që ndjekin tendencat më të fundit të modës. A e dini cilët? Hidhi një sy familjes tënde: kush është personi që mbyll gjithmonë rubinetin e çezmës duke larë enët apo fik dritat e dhomave pasi del jashtë, megjithë kundërshtimin tënd? Kush është personi që shkon tek tregu i zarzavateve apo në supermarket me trastën e vet të blerjes dhe i ripërdor gotat e qelqit vazhdimisht për të ruajtuar qumshtin apo rakinë? Kush është personi që mbrëmjeve bën gjithmonë një shëtitje dhe madje ndonjëherë preferon të marrë biçikletën për të shkuar tek furra e bukës e lagjes?  Pikërisht! Këta njerëz kaq trendy, janë gjyshërit dhe gjyshet tuaja.

Sigurisht që ata nuk e bëjnë këtë për shkak të modës. Ata ndjekin këtë mënyrë të përditshme jetese për shkak të së kaluarës së tyre, atëherë kur, për shkak të elektricitetit, gazit dhe ushqimit të pakët u duhej të ekonomizonin duke kursyer. Pavarësisht kësaj, këta anëtarë të mençur të shoqërisë, po ndërtojnë shembullin për brezat që vijnë duke qenë natyrshëm dhe instiktivisht të ndërgjegjshëm për mjedisin, ndoshta edhe pa e kuptuar. Kështu që, vëzhgoni dhe mësoni prej gjyshërve dhe gjysheve tuaja dhe u jini mirënjohës në rolin e paçmueshëm që kanë në lëvizjen botërore për zhvillim të qëndrueshëm. AgroWeb.org/

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.