Libri që pastron ujin

327 0

Librat në të gjitha kohërat kanë shënjuar njerëzimin. Na kanë ushqyer trurin, na kanë bërë të ëndërrojmë, por dhe ta shohim realitetin përmes një syri tjetër, përveçse na kanë dhënë dije. Por kurrë më parë një libër nuk ishte në gjendje të shpëtonte jetë njerëzish, jo vetëm në sensin letrar. Po flasim për librin e pijshëm, i cili është njëkohësisht një filtrues uji dhe një manual instruksioni se si dhe pse duhet pastruar uji.

Faqet e këtij libri unik, të bërë publik vetëm pak ditë më parë, përmbajnë disa mini copëza argjendi dhe bakri, të cilat i ngordhin bakteret në ujë në momentin e parë që bien në kontakt me të. Provat janë kryer në 25 burime të ndotura uji në Afrikën e Jugut, Gana dhe Bangladesh, ku faqja e librit arriti me sukses të heqë 99% të baktereve. Sipas studiuesve, niveli i ndotjes është i njëjtë më atë të ujit të rubinetit në këto zona.

Sasi të vogla të argjendit dhe të bakrit hidhen zakonisht në ujë, por këto rezultojnë të jenë nën limitet e sigurisë. Shpikësja e librit të pijshëm, i cili mund të ndryshojë dhe shpëtojë jetë njerëzish, është Teri Dankovich, një studiuese e Carnegie Mellon University në Pittsburgh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila për vite me rradhë është marrë me zhvillimin e teknologjisë së librit. “Libri është krijuar në mënyrë të veçantë për komunitetet në vendet në zhvillim”, ka thënë Dankovich, duke theksuar se 663 milionë njerëz në të gjithë botën nuk kanë akses ndaj ujit të pijshëm.

“Gjithçka që të duhet të bësh, është të grisësh një fletë nga libri, ta vendosësh në një enë filtri të thjeshtë dhe të hedhësh në të ujë nga lumenjtë, puse etj. dhe jashtë do të dalë ujë i pastër dhe bakteret e vdekura gjithashtu”, ka thënë ajo për BBC.

Bakteret thithin jonet e argjendit dhe të bakrit, në varësi të pjesëve të vogla të përdorura, teksa rrëshqasin nga faqja e librit. Sipas testeve të shkencëtares, një faqe mund të pastrojë rreth 100 litra ujë. Ndërkohë që një libër mund të filtrojë furnizimin me ujë për një person deri në 4 vjet. Kjo shpikje inovative mund të jetë zgjidhja për më shumë se 750 milionë njerëz në të gjithë botën, të cilët vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm.

Uji i filtruar është linja e fundit e mbrojtjes mes trupit dhe më shumë 2100 toksinave të njohura që mund të jenë të pranishme në ujin e pijshëm.

Mendoje edhe një herë atë çfarë pi

Nëse keni patur ndonjë moment dyshimi ndërsa mbushni një gotë me ujë nga çezma dhe keni vënë re që uji është i turbullt apo ka erë, mund ta keni pyetur veten mbi cilësinë dhe përmbajtjen e ujit. Uji në Shqipëri, sipas autoriteve është i trajtuar me klor and antibakterialë të tjerë dhe është i sigurtë për të larë dhëmbët dhe për të gatuar dhe në disa vende është i mirë edhe për t’u pirë. Nisur nga ky fakt dhe për siguri më të lartë, janë të shumtë njerëzit që përdorin ujin me shishe. Por në të vërtetë sa i sigurtë është edhe ky ujë. Studiuesit kanë treguar se uji i filtruar është më i sigurtë dhe shumë herë më i lirë sesa ai në shishe.

Një pjesë e ujit që tregëtohet me shishe vjen nga burime të pastra natyrore, por një pjesë vjen nga depozita. Ky ujë trajtohet, pastrohet dhe shitet, në më të shumtën e rastesve me një çmim të dhjetëfishuar. Shumë njerëz habiten që po pinë ujë të trajtuar, element të cilin shumë kompani që tregëtojnë ujë në shishe dhe bidona nuk e vendosin në etiketa. Ndërkohë që nga ana tjetër, filtrat sigurojnë një shije më të mirë të ujit, duke hequr klorin dhe ndotjen me baktere.

Gjithashtu, ato pastrojnë ujin nga plumbi, duke bërë që kjo substancë e dëmshme të mos hyjë në trupin e njeriut. Blerja e një filtri uji është një burim uji të pastër dhe të shëndetshëm, që kushton shumë më pak se uji në shishe. Uji i filtruar ul rrezikun e kancerit në zorrën e trashë dhe të fshikëzës, duke hequr klorin dhe efektet anësore të saj gjatë konsumit të ujit. Për më tepër, uji i filtruar e mbron trupin nga sëmundjet dhe na bën më të shëndetshëm, çka është tejet e rëndësishme veçanërisht për fëmijët, të cilët përmes ujit zhvillojnë sistemin e tyre imunitar. Uji i filtruar është linja e fundit e mbrojtjes mes trupit dhe më shumë 2100 toksinave të njohura që mund të jenë të pranishme në ujin e pijshëm.

*Artikulli është bazuar në materiale të publikuara fillimisht në BBC dhe All About Water dhe adoptuar nga Agroweb 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.