Mjedisi Me Plagët e Mëdha nga Industrializimi

535 0

Në 35 vitet e ardhshme popullsia e botës pritet të rritet nga 7 miliardë në 9.5 miliardë banorë.

Një nga pyetjet thelbësore që shtrohet nga çdo banor në mbarë globin është: me se do të ushqehemi në të ardhmen dhe ku do të gjenden burimet energjitike që do të drejtojnë veprimtaritë dhe proceset e ndryshme jetësore? Pas Luftës së Dytë Botërore pati një rritje aq të shpejtë të popullsisë, që solli më shumë nevoja për ushqim dhe kërkesa të shumëfishuara për më shumë prodhimtari bujqësore.

Për të plotësuar këto nevoja, praktikat bujqësore ndryshuan, me synim rritjen e prodhimtarisë. U përdorën për herë të parë plehrat kimike dhe pesticidet, si edhe u shfrytëzuan masivisht burimet ujore, u dogjën lëndët djegëse natyrale pa kriter e pa kursim.  Toka filloi të shfrytëzohej dhe jo të përdorej. Sot, globi përballet me pasojat e këtyre veprimtarive që kanë shfrytëzuar resurset në maksimum. Pasojat janë shumë serioze; ndryshime klimatike, ndotje dhe thatësira massive në anë të ndryshme të rruzullit.

Praktikat e përdorura deri më tani në bujqësi janë shndërruar në problematikat më të mëdha. Gjetja e zgjidhjeve për mbijetesë është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për ekspertët.

Armët më të forta mbeten mbrojtja e mjedisit dhe burimeve natyrore, si edhe aplikimi i metodave të bujqësisë së qëndrueshme. Këto armë nuk vlejnë vetëm për ekonomitë e zhvilluara dhe të përparuara, por sigurisht vlejne edhe për ekonomi në zhvillim sic është ekonomia shqiptare.

Specialistët theksojnë faktin se dëmi më i madh ndaj mjedisit dhe burimeve natyrore ndodh në momentet e zhvillimit ekonomik nga një stad tek tjetri, sic është rasti i shumë vendeve tashmë të zhvilluara por me kosto shumë të lartë mjedisore dhe natyrore. Specialistët ndërkombëtarë kanë vite të angazhuar për gjetjen e zgjidhjeve jo më lokale, por globale për të rikthyer ekuilibrin e humbur mes mjedisit, burimeve natyrore dhe shfrytëzimit të tyre.

“Një nga sfidat tona më të mëdha është të sigurojmë produkte bujqësore nëpërmjet praktikave të qëndrueshme,” tha për Julian Schroeder, profesor i biologjisë në Universitetin e San Diegos në Kaliforni dhe gjithashtu drejtues i Qendrës për Ushqim dhe Energji për Shekullin e 21-të, së bashku me profesorin e biologjisë molekulare, Stephen Mayfield.

“Në qoftë se ne do të arrijmë të rrisim kultura që janë rezistente ndaj vështirësive klimatike, do të kemi mundësive të përmirësojmë prodhimin për të plotësuar nevojat për ushqim të popullsisë në rritje dhe gjithashtu do krijonim hapësirën e duhur për të rritur kulturat e së ardhmes, ato që do të përdoren për të prodhuar energji.”

Kulturat Energji-Prodhuese

Kërkimet e ekspertëve fokusohen në disa mekanizma që përmbajnë bimët, që i lejonë ato të adaptohen ndaj ngacmuesëve të jashtëm të mjedisit, sic janë thatësirat dhe rritja e sasisë së dioksidit të karbonit në atmosferë.

Ata kanë përparuar drejt zgjidhjes së një problemi shumë të madh, që disa shteteve në botë i kanë kushtuar miliarda dollarë në vit – mbingopja e tokës me kripë, si pasojë e praktikave të ujitjes. Shpesh herë uji i lumit që përdoret për ujitjen e tokës bujqësore, rrjedh mbi shkëmbinj, nga të cilët merr kripëra.

Kur ky ujë avullon nëpër fusha, atëherë mblidhet kripa që dëmton kulturat bujqësore. Tashmë, falë zbulimit të Schroeder mbi një tansportues të lëndës së sodiumit në bimë, shkencëtarët kanë filluar të rrisin kultura që janë rezistente ndaj kripës. Një nga arritjet më të suksesshme u realizua nga një skuadër australiane, që nëpërmjet zbulimit arriti të rriste prodhimin bujqësor në këto lloje tokash me 25%. Një aspekt tjetër i kërkimeve të Schroeder është efekti që ka dioksidi i karbonit mbi bimët.

“Sot në botë kemi 40% më shumë dioksid karboni krahasuar me periudhën para industrializimit,” tha ai, “ Dhe kjo po vazhdon të rritet si pasojë e shfrytëzimit të lëndëve djegëse të fundme.” Bimëve u duhet dioksid karboni për t’u rritur dhe poret e tyre hapen për ta marrë këtë lëndë nga ajri. Me rritjen e niveleve të dioksidit të karbonit mbi normat e lejuara, poret e bimëve mbyllen.

Kjo jo vetëm ul sasinë e përthithur të dioksidit të karbonit, por bën që bimët të kërkojnë të përthithin më shumë ujë. Në kërkimet e kryera , specialistët kanë zbuluar mekanizmat e ndjeshmërisë së bimëve që sinjalizojnë mbylljen e poreve, që mund të jetë një zbulim i rëndësishëm në rritjen e kulturave që mund të mbijetojnë edhe me sasi më të pakta uji.

Bimët si burim energjie

Bimët janë burime të mundshme energjie që ulin sasinë e dioksidit të karbonit në ajër. Kjo ishte arsyeja që ky studim mund të përdoret edhe për prodhimin e kulturave bujqësore që mund të përdoren si burime të qëndrueshme energjie.

Shumë persona janë familiarë me etanolin e prodhuar nga misri, një formë e përdorur për energji, por jo më e mira pasi përdor vetëm niseshtenë që ndodhet në farën e misrit, pjesa tjetër e tij nuk gjen përdorim.  Specialistët fokusohen në kulturat e mbjella në tokë, por studime janë duke u kryer edhe për përdorimin e algave si një burim ushqimi dhe energjie.

Por duhet më shumë se studimet shkencore për të arritur ndryshime të mëdha. Së pari duhet të fitohet besimi i shoqërisë ndaj produkteve të reja dhe më tej zhvillimi i tyre i mëtejshëm për t’u vënë në përdorim. “

Problemet e shoqërisë sot janë aq komplekse sa nuk mund të zgjidhen thjesht nga një shpikje e suksesshme laboratorike,” thotë Mayfield. “ Për këtë arsye ekonomistët, shkencat sociale si dhe faktorë të tjerë duhet të punojnë bashkarisht për aplikimin e këtyrë zbulimeve në realitet.”

Jemi ne ata që mund të zgjedhim të përcaktojmë të ardhmen tonë, duke mos u kthyer në armiq apo agresorë ndaj tokës. Duke kuptuar mundësitë e pafundme që ajo ofron për zhvillim dhe qëndrueshmëri, duhen kërkime e studime të vazhdueshme për të siguruar vazhdimësi.

 

Artikulli është publikuar fillimisht në LA Times dhe është adaptuar nga agroweb.org.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.