Nga e mërkura nisin ditët ‘vullkanike’, temperaturat deri në 40 gradë

201 0

I nxehti mbytës i kësaj jave do të ngrejë temperaturat në 39 deri 40 gradë celsius. Duke nisur nga dita e nesërme, e mërkurë, vala e të nxehtit afrikan do të forcojë ndikimin duke rritur edhe më tej temperaturat dhe kthjellimet.

Tanja Porja, përfaqësuese e Meteoalb bën të ditur se të nesërmen, zonat më të nxehta pritet të jenë Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Kuçova, Gjirokastra dhe Saranda.

Termometri në këto zona do të ngjitet në 39 gradë celsius. Me të njëjtat kushte të nxehti, do të jetë edhe e mërkura pasdite në zonat e ultësirës perëndimore ndërsa në zonat malore pritet të ketë kalime të shpeshta vranësirash.

Prej disa ditësh, Shqipëria është pushtuar nga fenomeni ‘valë e nxehtë’, fenomen i cili ndodh rreth dy herë në vit, konkretisht në muajin korrik dhe gusht.

Zonja Porja, përfaqësuese e Meteoalb sqaron se fenomeni ‘valë e të nxehtit’ konsiderohet ngjarje e motit ekstrem i cili ndodh kur ka një tejzgjatje në kohë, të motit të nxehtë dhe shoqërohen me përmbajtje të lartë të lagështirës në ajër. Nuk ka një përkufizim përfundimtar për “valën e të nxehtit”, fenomeni përcaktohet nga kushtet normale të motit, temperaturat mujore apo stinore të një zone të caktuar.

Nëse temperaturat 30°C-40°C mund të jenë normale për zonat tropikale/subtropikale ato klasifikohen ekstremisht të larta nëse vrojtohen në vendet e gjerësive gjeografike mesatare. Fenomeni ‘valë e të nxehtit’ në territorin shqiptar shfaqet mesatarisht 2 herë në vit, kryesisht në muajt korrik dhe gusht por janë vrojtuar raste të këtij fenomeni edhe në muajt e pranverës dhe vjeshtës.

Gjatë valëve të të nxehtit, temperaturat maksimale ditore për më shumë se 5 ditë të njëpasnjëshme, shënojnë vlera ekstremisht të larta referuar mesatarësve shumëvjeçare, të temperaturave maksimale ditore. Gjatë 2 dekadave të fundit në territorin shqiptar, ka jo vetëm shtim të numrit të valëve të të nxehtit gjatë vitit por edhe shfaqje të fenomenit ‘jashtë periudhës’.

Një tipar kryesor i valëve të të nxehtit gjatë 2 dekadave të fundit, është rritja e kohëzgjatjes mesatare nga 7 në 12 ditë të njëpasnjëshme, në të cilat temperaturat maksimale ditore shënojnë vlera ekstremisht të larta duke thyer edhe rekorde historike të mëparshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.