Shqipëria do të hapë bursë energjie

299 0

Besimi fitohet aksion pas aksioni. Dhe qeveria shqiptare duket se është gati për ta fituar këtë besim duke i kuotuar aksionet në Bursën e re të Energjisë që do të ndërtojë, duke shtuar investuesit e duke liberalizuar në këtë mënyrë tregun energjetik. Plani për hapjen e bursës, ka ardhur menjëherë pasi qeveria dhe Parlamenti miratuan ligjin e ri për energjinë elektrike, i cili pritet të rregullojë një sërë deformimesh në tregun energjetik në vend.

Bursa është dhe një parakusht për liberalizimin e tregut energjetik, pasi në këtë mënyrë do të krijohen mundësi për çmimet reale në kohë reale për energjinë, qoftë ajo elektrike, por edhe ajo e karburanteve.

“Ky është momenti i duhur sepse tregu është në rritje. Klientët po i paguajnë faturat e energjisë, ndërkohë që Shqipëria po lidhet edhe me vendet e tjera dhe në vitin 2020 ky proces duhet të jetë i përfunduar”, pohon Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ndërsa ka prezantuar planin ambicioz që pritet të rregullojë tregun e energjisë. Synimi i qeverisë shqiptare, është që të krijojë mjedisin e duhur, për të lehtësuar investimet në sektorin e energjisë të cilat pritet të kenë një hov të ri edhe pas miratimit të ligjit të ri për energjinë e rinovueshme.

Një ndër pikat më kryesore të funksionit të bursës është dhe unifikimi i tregut të energjisë me vendet fqinje, siç është dhe ai me Kosovën apo me Maqedoninë, me të cilën pritet të nisë dhe ndërtimi i linjës 400 Kv. Hapja e tregut dhe përfshirja në të e sa më shumë aktorëve, krijon më shumë mundësi për financimet e projekteve të energjisë si dhe në diversifikimin e burimeve, duke rritur në këtë mënyrë dhe sigurinë energjetike në rajon.

Ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri në prezantimin të projektit për hapjen e bursës së energjisë, gjatë një tavoline të rrumbullakët me ekspertë të huaj.

Bursa e Energjisë do të synojë në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, duke u kthyer në mekanizmin që do të realizojë transaksionet fizike dhe financiare të flukseve të energjisë. Suksesi i kësaj burse do të varet shumë edhe nga sasia e flukseve të energjisë që do të tregtohen në të.

Në këtë aspekt, Shqipëria do të shfrytëzojë bashkëpunimin e qeverisë së Norvegjisë për të realizuar projektin e krijimit të tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri.

Përvoja norvegjeze synohet të shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë. Por pika e kthesës mendohet të jetë plotësimi i kuadrit ligjor për energjinë e rinovueshme, duke përfshirë këtu dhe procesin e gazifikimit pjesë e projektit TAP, i cili do t’i hapë rrugë krijimit të më shumë energjie, e cila do të tregëtohet më pas në tregun e ri duke bërë që çmimi për konsumatorin të bjerë në mënyrë të ndjeshme.

Shqipëria ka një potencial të madh në prodhimin e energjisë elektrike, duke qenë se rreth 70 për qind e territorit të Shqipërisë është rreth 300 metra mbi nivelin e detit, sa dy herë lartësia mesatare e Evropës dhe lehtëson prodhimin e energjisë hidroelektrike jo vetëm për konsum të brendshëm, por dhe për eksport.

Të bekuar me energji hidrike

Më shumë se 80 për qind e energjisë elektrike të Shqipërisë vjen nga sistemi i digave hidroelektrike të ndërtuara pas vitit 1947. Prodhimi i energjisë elektrike është vlerësuar nga zyrtarë shqiptarë në 3.984.000 megavat orë energji në vitin 1988.

Ku stacioni më i madh i Shqipërisë me energji elektrike, hidrocentrali i Komanit mbi lumin Drin, ka pasur një kapacitet prej rreth 600 megavat. Hidrocentralet në Fierzë dhe Vau Dejës, kishin një kapacitet prej 500 megavat dhe 250 megavat, përkatësisht.

Shqipëria nuk ka pasur kapacitet për të gjeneruar energji bërthamore dhe energjia elektrike në pjesën më të madhe është prodhuar përmes hidrocentraleve. Kolapsi ekonomik që shoqëroi vendin pas rënies së komunizmit çoi në shkatërrimin e rreth 25% të sistemit shpërndarës elketrik në rreth 30,000 kilometra.

Eksportet në rritje, çmimet në rënie

Aktualisht, eksportet e energjisë elektrike, si në sasi ashtu në vlerë kanë pësuar një rritje nga viti 2008 në vitin 2010. Në përgjithësi situata e eksporteve ka shënuar një rritje vjetore prej 26%. Në vitet e marra në shqyrtim, destinacionet kryesore të eksportit të energjisë elektrike, si në sasi ashtu edhe në vlerë, i referohen vendeve si Greqia, Zvicra, Serbia.

Po ashtu, Çekia dhe Sllovenia paraqiten si vende të rëndësishme në tregtinë e energjisë elektrike në katër vitet e fundit. Destinacione të tjera eksporti janë edhe Austria, Bullgaria, Franca, Mali i Zi etj, por në sasi, vlera dhe periudha më të shkurtra. Çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike ka pësuar rënie te vazhdueshme përgjatë viteve 2008-2011.

Në vitin 2012 pati një përmirësim të çmimit mesatar të eksportit të energjisë elektrike, por kjo rritje nuk vazhdoi shumë gjatë, pasi në vitin 2013 çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike ra me 35% krahasuar me një vit më parë. Përveç ndryshimeve që ka pësuar vit pas vit, çmimi mesatar në eksport i energjisë elektrike ka ndryshuar edhe sipas destinacioneve, duke u tregtuar herë mbi mesataren dhe herë nën, në varësi të vendit. Për vitin 2013, vetëm Greqia dhe Serbia blenë energjinë elektrike nga vendi ynë me një çmim mbi mesataren e vitit.

Gjatë vitit 2013 vendi ynë ka blerë dhe shitur energji elektrike nga vende si Çekia, Franca, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Zvicra. Shqipëria e ka eksportuar energjinë elektrike drejt këtyre vendeve me një çmim më të ulët sesa çmimi i blerjes nga importi, po nga këto vende.

Diferencat më të mëdha mes çmimit të eksportit dhe çmimit të blerjes nga importi, vendi ynë i ka me Zvicrën, Francën, Çekinë. Diferencat më të vogla, i kemi me vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi, të cilët i shesin dhe më lirë energjinë elektrike vendit tonë. AgroWeb.org/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.