Tregu energjetik shqiptar- një motorr për investimet

328 0

I famshëm për mundësitë e arta të investimit falë rrjetit të tij dendur të lumenjve, por dhe i dërrmuar ndër vite nga problematikat e keqmenaxhimit, sektori energjetik shqiptar pasi ka parë më të keqen është gati për një ripërtëritje. Nga koka tek këmbët dhe pa u kursyer në shpenzime. 500 milionë Euro do të jetë investimi, që do të bëhet për 4 vitet e ardhshme në një nga sektorët më kyç të ekonomisë shqiptare në një përpjekje për të liberalizuar tregun e energjisë në vend dhe minimizuar humbjet në rrjetin e shpërndarjes, duke ulur në këtë mënyrë informalitetin.

Nga të gjithë sektorët ekonomikë, ai energjetik është më urgjenti për sa i përket investimeve, pasi furnizimi i plotë dhe i sigurtë i energjisë është me rëndësi jetike për shoqërinë shqiptare. Por përveçse i sigurtë duhet të jetë dhe i përballueshëm dhe i qëndrueshëm, duke qenë se sektori energjetik shqiptar ka shfaqur gjithnjë probleme përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Kjo dhe për shkak se rreth 42% e energjisë elektrike në vend humbet në rrjetin e shpërndarjes, shpesh edhe për shkak të vjedhjeve në rrjet.

Rimëkëmbja e sektorit energjetik mbetet thembra e Akilit, ndaj dhe qeveria ka përqendruar një pjesë të mirë të fondit në këtë pjesë, duke investuar rreth 110 milionë euro, një fond i marrë hua nga Banka Botërore. Investimet e tjera konkrete të qeverisë shqiptare në sektorin e energjisë do të fokusohen te vendosja e matësve inteligjentë dhe rindërtimi i nënstacioneve elektrike. Strategjia kombëtare e energjisë parashikon gjithashtu edhe ngritjen e linjave të transmetimit me Kosovën dhe Maqedoninë.

Linja e parë pritet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm, ndërsa po në këtë periudhë pritet të zhvillohen procedurat e tenderit për linjën e dytë të transmetimit me Maqedoninë. Pozicioni i favorshëm gjeografik në Detin Mesdhe, e bën Shqipërinë një vend me potencial të madh për të investuar në burimet e energjisë së rinovueshme, pasi është dhe një sektor që ofron fitime të larta.

Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri duke nënshkruar simbolikisht mbi tubacionin e gazsjellësit Trans -Adriatik, që do të kalojë në Shqipëri, si një nga projektet më të mëdha energjetike në vend.

Kjo në një farë mase shpjegon dhe “ethet e arit” të të huajve ndaj lumenjve tanë për të ndërtuar hidrocentrale. Sipas raportit të fundit të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2014, ndërtimi i hidrocentraleve të reja të vogla dhe privatizimi i disa hidrocentraleve të mesme kanë bërë që të rritet prodhimi i energjisë elektrike nga sektori privat në gati një të pestën e prodhimit të përgjithshëm duke bërë që tregu i prodhimit të energjisë elektrike të shkojë në 8.1 billion lekë.

Ndërkohë që dhjetra hidrocentrale të tjera janë në ndërtim dhe pritet që t’i bashkohen rrjetit në vitet e ardhshme. Interesi i madh i investuesve të huaj për këtë sektor është i dukshëm, aq sa dhe vetë kryeminisrtri shqiptar, Edi Rama nuk mund të mos e përmendte gjatë një interviste të dhënë për britaniken “The Guardian”, ku thotë se në gjashtë muajt e parë në detyrë, “Nuk kishte një ditë të vetme në punë ku dikush të mos më merrte në telefon apo të më dërgonte një email nga Shqipëria, Europa apo Amerika me këtë subjekt: “Ne jemi të interesuar në zhvillimin e rrjetit të hidrocentraleve”.

Interes që do të vijë në rritje edhe me liberalizimin e tregut të energjisë, duke krijuar më shumë mundësi zhvillimi për këtë sektor që i ka hapur dyert në të dy kanatët për investuesit në këtë fushë. Siç është dhe rasti i ndërtimi të gazsjellësit Trans-Adriatik, si edhe përfundimi i tre hidrocentraleve në lumin Devoll. Realizimi i këtyre dy veprave pritet të sjellë një vlerë investimi prej 1.8 miliardë euro, duke i dhënë kështu një shtysë të fortë rritjes ekonomike, duke rritur dhe punësimin në vend.

Nevoja për Sigurinë Energjetike

Siguria energjetike është një çështje shqetësuese për shumë vende të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Për të përmbushur aspiratat në rritje të njerëve dhe të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, secili prej vendeve është nën një presion të madh social dhe politik për të siguruar dhe furnizuar me energji në mënyrë të sigurtë dhe të qendrueshme.

Dhe sigurisht me çmime të arsyeshme për të përmbushur kërkesat gjithnjë e më në rritje për energji konsumatore. Duke patur një qasje rajonale ndaj këtyre sfidave zgjidhja bëhet më efektive dhe e qendrueshme ndaj problemeve të sigurisë energjetike. Pikërisht në përgjigje dhe të këtyre realiteteve të reja energjetike, USAID ka çelur një program të ri për të mbështetur vendet e rajonit për sigurinë e energjisë dhe transparencën e tregut.

Gjatë programit (2015-16), rregullatorët e energjisë nga Shqipëria, Armenia, Bosnja e Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Maqedonia, Serbia dhe Ukraina do të marrin ndihmë për përgatitjen e udhëzimeve që promovojnë praktikat më të mira në funksionimin e tregjeve të shitjes me pakicë të energjisë elektrike. Ky program i ri synon gjithashtu të krijojë një mjedis bashkëpunues për rregullatorët e vendeve të rajonit, të cilët do të kenë mundësi të përfitojnë nga përvojat më të mira të rregullatorëve amerikanë në zhvillimin e tregut të energjisë elektrike. AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.