Po zhvillohet sot në Peshkopi trajnimi me temë “Financimet Alternative- Skemat e Programit IPARD”, në fokus të të cilit janë Gratë Sipërmarrëse të Agrobizneseve në Rajonin e Dibrës.

Ky trajnim bëhet në kuadër të projektit ndërkufitar IPA të financuar nga BE-ja mbi “Standardet dhe Çertifikimi i produkteve Bujqësore, Ngritja e Kapaciteteve në përthithjen e Fondeve dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë të Agrobizneseve”, nga partnerët zbatues të tij, Creative Business Solutions (CBS), Agjensia për Zhvillim Rajonal-2 dhe Komuna Dibër.

Trajnimi oraganizohet në bashkëpunim me organizatën Agritra – Vizion Dibër, e cila një prej objektivave kryesore të saj ka fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave në këtë rajon.

Në këtë seminar janë pjesëmarrëse rreth 20 gra sipërmarrëse në sektorin agro të rajonit të Dibrës.

Reçel molle, jufka, komposto thane, sheqerpare dibre e plot prodhime të tjera të krahinës së Dibrës janë trashëgimia dhe tradita e këtyre grave.

Produktet e tyre përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të agrobiznesit në këtë zonë.

Flasim për përkushtim, pastërti, shije dhe natyrë të cilat mund t’i gjesh shumë thjesht të ambalazhuara bukur në një kavanoz reçeli ose në një pjatë me jufkat e Dibrës.

Përmirësimi i teknologjisë në sektorin e agropërpunimit nëpërmjet përthithjes të granteve kombëtare, por edhe atyre të Bashkimit Europian është një mision thelbësor i projektit.

Përveç kësaj, çertifikimi dhe brandimi i produktit tradicional të kësaj zone, do të jenë gjatë gjithë kohës pjesë e mbështetjes nga Programi Ndërkufitar IPA II./AgroWeb.org