Qeveria do të mbështesë me fonde agroturizmin dhe zhvillimin e zonave rurale, pa u limituar nga lista e programit “100 fshatrat”.

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit degët ku do të financohen fondet gjatë vitit 2018, duke i dhënë përparësi turizmit si një sektor me ndikim  pozitiv në përmirësimin e jetës  dhe ekonomisë rurale.

Ministria e Bujqësisë do të garantojë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma, deri 50% të vlerës totale e cila do të prekë shifrën prej 1.5 milionë lekë, shkruan ATSH.

Mbështetje në masën 50% do të ketë  për investime në agroturizëm, për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, për makineritë dhe pajisje.

Ndërsa për marketingun (përfshirë linjat e ambalazhimit/paketimit) e produkteve tradicionale të zonës, mbështetja do të jetë 70% e vlerës totale.

Mbështetje Femrerëve Të Rinj

Qeveria do të financojë në mënyrë të veçantë edhe fermerët e rinj. Një mbështetje do t’i jepet individëve të moshës 22 deri në 35 vjeç, duke financuar 50% të sipërmarrjeve të reja të ngritura prej tyre, për një vlerë deri në 500 mijë lekë.

Për përmirësimin e kushteve në stane për bagëtitë e imëta, pra rikonstruksion dhe pajisje me panele diellore, qeveria do të subvencionojë 80% të vlerës, deri në 200 mijë lekë.

Edhe për ngritjen e inkubatorëve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës do të subvencionohet 70% e vlerës deri në 15 milionë lekë.

Vendimi parashikon një mbështetje të madhe që  do t’i jepet  rrjetit të subjekteve që shesin me pakicë produkte ushqimore të prodhuara në vend, në masën 50% të vlerës deri në 2 milionë lekë./ Burimi ATSH