Çmimi i karburanteve në Shqipëri ka pësuar një rritje drastike 5 lekë të reja për litër. Një litër naftë arriti të shitet me 176-177 lekë për litër.

Ndërsa një litër benzinë shitet me 178 lekë. Çmimi i pak ditëve më parë për një litër naftë ishte 172 lekë, ndërsa një litër benzinë tregtohej me 173 lekë.

Rritja e çmimit të karburanteve arsyetohet me shtrenjtimin në tregjet e huaja dhe problemet gjeopolitike mes SHBA dhe Iranit.

Ekspertët e huaj parashikojnë një rritje të mëtejshme të çmimit të karburanteve në bursat botërore si pasojë e rënies së prodhimit të Venezuelës dhe sanksioneve ndaj Iranit që është një prodhues i madh.

Shqipëria renditet ndër 20 vendet me çmimet më të shtrenjta të karburanteve në botë, sipas të dhënave të Global Petrol Price, të përditësuara në 7 maj 2018 deklaron Monitor.

Por Shqipëria gjithashtu renditet e pesta më e shtrenjtë në botë përsa i përket çmimit të karburanteve në krahasim me të ardhurat për frymë të popullsisë, pas Moldavisë, Indisë, Jordanisë dhe Marokut.

Ndikimi i taksave tek çmimet e karburanteve

Shqipëria ka çmime tejet të shtrenjta të karburanteve, ku mbi 60% të çmimit e përbëjnë taksat. Sipas analizës së Monitor, në Shqipëri nafta dhe karburantet taksohen fuqishëm sipas zërave në vijim.

Akciza, 37 lekë për litër; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër.

Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila dhe taksa e rilicencimit prej 3 lekë/litër. TVSH totale i kalon 30 lekë për litër.

Goditjen më të madhe e merr xhepi i konsumatorëve shqiptarë, por edhe ekonomia vendase.

Sidomos nëse vërtetohen parashikimet e specialistëve që llogarisin që çmimet e karburanteve të kapin normën e 200 lekë për litër.

Një nga sektorët që preket më tepër është bujqësia shqiptare.

Në një nga periudhat më delikate të punës në bujqësi, rritja e çmimit të karburanteve i jep një shuplakë të fortë përpjekjeve për të mbajtur kosto të ulët prodhimi për të siguruar eksporte në rritje.

Një nga mbështetje e hershme që kërkojnë prodhuesit vendas është kostoja më e ulët e karburantit për ekonomitë prodhuese dhe përpunuese bujqësore.

Përveç kostos së ulët të karburantit, fermerët kërkojnë përkrahje financiare, ulje të tvsh për farërat dhe inputet bujqësore si elementë të domosdoshëm për koston e prodhimit./AgroWeb.org