Projekti Ndërkufitar – Nga Peshkopia dhe Dibra drejt Tregjeve Europiane

396 1

Creative Business Solutions (CBS), Agjencia për Zhvillim Rajonal-2 Tiranë (AZHR-2), dhe Komuna Dibër, më 16 Shkurt 2018 në Qytetin e Peshkopisë, organizuan eventin e hapjes të projektit Ndërkufitar të BE-së me qëllim rritjen dhe zhvillimin e Agrobiznesit në rajonin e përbashkët të Dibrës.

Ky projekt i financuar nga Bashkimi Europian promovon rritjen ekonomike në zonën e Peshkopisë dhe të Dibrës së Madhe.

Çertifikimet e Agrobizneseve me standartet HACCP, ISO2200, GlobalGAp dhe Organik, mbështetja e fermerëve me përgatitjen e planeve të Biznesit për të përfituar nga skemat e granteve kombëtare dhe ato të IPARD-it si dhe zhvillimi i Planeve Marketing të integruara për Agrobizneset, ishin platformat kryesore të projektit të cilat u prezantuan nga partnerët e zbatimit të projektit.

Prefekti i Qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu, përforcoi mesazhet e dhëna mbi angazhimin në zhvillimin e zonave rurale jo vetëm në bujqësi, por edhe në turizëm dhe infrastrukturë.

Ai theksoi që “Nga sot çelim siparin e një projekti që ka në focus zhvillimin e agrobiznesit në zonën tonë. Sot për ne është hapur një dritare financimi, e cila nesër do të kthehet në një rrugë dy kalimëshe në tregun ndërkombëtar”.

Drejtori i Përgjithshem i AZHR-2, Arben Skënderi, theksoi përfitimet që projekti i sjell kësaj zone: “Jam i bindur që Dibra meriton plotësisht të përfitoje nga një projekt i cili synon të forcojë kapacitetin prodhues të sipërmarrjeve bujqësore dhe të rrisë aksesin në tregjet Europiane.

Nëpërmjet këtij projekti po krijohet një produkt i aftë për të përballuar presionin e konkurrencës në tregjet e brendshme dhe të BE-së, që do të përmbushë standardet dhe kërkesat e tregut të BE-së.”

Enio Jaço, drejtori ekzekutiv i CBS, organizata partnere kryesore e realizimit të projektit, nënvizoi se programe dhe ndërhyrje të tilla do të mundesojnë që të injektohen rreth 2-3 milion euro investime kapitale.

Për më tepër brandimi dhe marketimi i këtyre produkteve do të lehtësojë mundësitë e eksporteve më të larta dhe solide drejt tregjeve të zhvilluara.

Pjesë e aktive në këtë event ishte pjesëmarrja dhe prezantimi nga përfaqesuesja e Delegacionit Europian në Shkup, Magdalena Sarlamanov.

Zonja Sarlamanov deklaroi se këto iniciativa bashkëpunimi janë një nismë e shkëlqyer për zhvillimet rajonale dhe për një vizion europian duke shmangur ndasitë kufitare.

Pjesëmarrës të tjerë të rëndësishëm në event ishin dhe deputetja e zonës Znj Almira Xhembulla, kryetari i Bashkisë Peshkopi, Muharrem Rama, kryetari Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, Kryetari i Qarkut, Hajri Laci dhe zyrtarë te tjerë vendorë.

Pjesë e rëndësishme e eventit ishin rreth 220 përfaqësues të Agrobiznesit të rajoneve të Dibrës (fermerë kultivues të frutave-perimeve dhe bimëve medicinale, sipërmarrës dhe kompani të angazhuara në bujqësi, përpunues të nën-sektorëve të agrikultures, etj).

Moderimi i këtij eventi dhe prezantimi i komponentëve të ndërhyrjeve të projektit u prezantua nga Kordinatori i këtij projekti, Ilir Pilku, Drejtor i Agrobiznesit në CBS.

Gjatë eventit u zhvilluan pyetje dhe përgjigje midis palës zbatuese të projektit dhe përfituesve të agrobizneseve në këtë zonë.

Gjatë kësaj seance, përfaqësuesit e këtij target grupi u informuan mbi mjetet që do të përdoreshin për implementimin e këtij projekti, dhe impakti i pritshëm i projektit në zonë./AgroWeb.org

Click here for English version

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.