Lista me Prodhimet Shqiptare Natyrale që po Dominon Tregun Evropian

734 0

Produktet shqiptare po shndërrohen në më të preferuarat e tregjeve evropiane.

Cilësia e lartë, përmbushja e standardeve dhe shija krej natyrale i veçojnë këto prodhime si më të mirat e më të kërkuarat në tregjet e huaja.

Frutat, perimet por edhe bimët medicinale kanë nisur të dominojnë bindshëm eksportet shqiptare duke paralajmëruar një erë të re në zhvillimin e bujqësisë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org nuk janë vetëm prodhimet tradicionale ato që po dalin në tregjet e huaja por edhe shumë produkte të reja, që fermerë të ndryshëm shqiptarë me sukses ja kanë dalë të kultivojnë në tokat e tyre.

Shalqin i verdhë, krejt natyral, ashtu si edhe patate të kuqe apo edhe fruta medicinale si manat Goxhi, Aronia dhe bimë të rralla medicinale po pasurojnë listën e gjatë të prodhimeve “Made in Albania”.

Lajm i mirë është se rritja e kërkesës dhe eksporteve të produkteve shqiptare nxit nga ana tjetër rritjen e prodhimeve vendase duke ndikuar kështu pozitivisht në rritjen e fitimeve të fermerëve por edhe ekonominë në tërësi.

Krejt Natyrale nga Tokat Shqiptare

Sipas të dhënave zyrtare, të cilave u referohet AgroWeb.org, është një listë jo e vogël me produkte potenciale bujqësore “made in Albania”, që janë më të kërkuarat në tregjet e huaja për eksport.

Prodhimet pasi verifikohen për përmbushjen e kritereve të cilësisë dhe standardeve futen në tregjet vendeve të ndryshme evropiane.

Bëhet fjalë përreth 15 produkte duke përfshirë disa lloje arrorësh, si arra, lajthi, gështenja, bajame, frutoret, perimet në sera, bimët medicinale etj që kanë një epërsi më të lartë në kërkesën për eksport krahasuar me produktet e tjera.

Lajmi i mirë është se për promovimin e këtyre produkteve dhe nxitjen e eksportit të tyre, ato janë përfshirë në skemat e mbështetjes kombëtare.

Sipas burimeve të AgroWeb.org institucionet përkatëse kanë orientuar fermerët që të aplikojnë për shtimin e mbjelljeve me këto prodhime.

Investime në të mbjella të reja 

Shporta me 15 produktet më të kërkuara shqiptare është përfshirë në një skemë të mirëfilltë mbështetjeje ku fermerët do të subvencionohen në të mbjella të reja.

Brenda këtyre 15 produkteve të zgjedhura, aplikimet kanë qenë të shumta për kultivimin e mollëve, arrave, lajthi, gështenjë, ullinj, bimë medicinale./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.