Boronica dhe Mjedra për Kultivim në Tokat e Luleshtrydheve Shqiptare

894 0

Specialistë të programeve të USAID në Shqipëri për mbështetjen dhe rritjen e sektorit të bujqësisë shqiptare po ndihmojnë fermerët dhe kultivuesit vendorë në Frakull dhe Kafaraj të Fierit për të mbjellë mjedër dhe boronicë.

Qëllimi i demonstrimeve dhe kultivimit në parcela eksperimentale nga specialitstët e AAC Lushnja është vlerësimi i prodhimit të këtyre bimëve, duke synuar diversifikimin e prodhimit, pra për të shmangur mbingopjen e tregut me pak kultura bujqësore të cilat kultivohen nga të gjithë fermerët.

USAID në Shqipëri dhe AAC Lushnja po ndihmojnë fermerët të kultivojnë këto kultura të reja, për të konkurruar importin e kushtueshëm dhe për të rritur të ardhurat nga ferma.

Boronicat shqiptare të cilat mblidhen në gjendje të egër nuk arrijnë në tregun vendas, por shiten rajonalisht sidomos drejt tregut të Kosovës ose përfundojnë në tregun evropian nëpërmjet grumbulluesve të cilët i ruajnë në mjedise frigoriferike me atmosferë të mbrojtur.

Ndërkohë importi i boronicave dhe i mjedrave nga tregjet e huaja është shumë i shtrenjtë dhe i papërballueshëm për 80 për qind të konsumatorëve shqiptarë.

Zona e Frakullës dhe ajo e Kafaraj në Fier konsiderohen nga ekspertët e bujqësisë si Toka e Luleshtrydheve Shqiptare, me kushte veçanërisht të mira pjellore për këto kultura të reja shumë të kërkuara në treg.

Në pamundësi të rritjes së ofertës prodhuese dhe mbledhjes së boronicave të egra, kultivimi i boronicave dhe mjedrave krahas luleshtrydheve shqiptare është një risi e cila do t’i sjellë këto fruta të vogla mirëbërëse më pranë konsumatorëve shqiptarë dhe me çmime të përballueshme.

Nga ana tjet&eeuml;r, kultivimi në Shqipëri i boronicave mund të arrijë ta vendosë vendin edhe në pozicionin e eksportuesit drejt tregjeve të huaja me boronica dhe mjedra të buta, krahas eksporteve të luleshtrydheve dhe fruta-perimeve të tjera./AgroWeb.org