Fermat Familjare Shqiptare – Çelësi i Bujqësisë BIO dhe Organike

1.4k 0

Fermat familjare zënë rreth 70-80% të tokës bujqësore. Ato sigurojnë jetesën dhe ushqimin për shumë familje në mbarë botën, duke u kthyer në një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.

70-80-% e ushqimit botëror prodhohet pikërisht në fermat familjare. Më shumë se 90% e këtyre fermave drejtohen nga individë ose nga familje dhe bazohen kryesisht në punën e përbashkët të anëtarëve të familjeve.

Fermat familjare janë vitale për ekonomitë lokale edhe për një vend si Shqipëria. Ato përfaqësojnë një mundësi shumë të mirë për të zhvilluar ekonomitë lokale.

Shqipëri – 90% e bujqësisë në ferma familjare

Në Shqipëri fermat familjare janë rimëkëmbur pas viteve të kolektivizimit të detyruar të kooperativave bujqësore.

Sipas statistikave zyrtare, sot në Shqipëri, më shumë se 90 % e bujqësisë është kryesisht e bazuar në fermat familjare që kanë një dimension ekonomik dhe social.

Bujqësia familjare në Shqipëri është e orientuar që nga prodhimi familjar i mbijetesës e deri tek orientimi për qëllim tregtimi.

Bazuar në bujqësinë familjare, zonat rurale kanë qenë më rezistente ndaj krizave, sepse fermat familjare kanë përshtatshmëri më të mire dhe vazhdimësi në rritjen e prodhimit edhe kur ka krize.

Cilat janë problemet kryesore?

Përmirësimi i sistemeve të ujitjes dhe mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore si përmbytjet.

Inkurajimi dhe zhvillimi i kapaciteteve të brendshme për të organizuar më mirë menaxhimin e ujit dhe tokën pjellore të vendit tonë.

Mungesa e orientimit të duhur për kultivimin e produkteve me treg më të sigurtë.

Masat në favor të zhvillimit të fermave familjare në Shqipëri

Mbështetja për zhvillimin e produkteve vendase cilësore, produkteve bio e organike dhe agroturizmit, është e rëndësishme në zhvillimin e fermave familjare.

Masat për diversifikimin, modernizimin, trajnimin dhe transferimin e njohurive janë të një rëndësie të veçantë për fermat familjare.

Po ashtu edhe forcimi i organizatave prodhuese për të lehtësuar qasjen në treg, për t’u dhënë fermerëve mjetet që të bëhen lojtarë të mëdhenj, për të siguruar ekuilibrin e tregut dhe të ardhurat për të vazhduar këtë model të bujqësisë.

Fermat familjare janë thelbësore për prodhimin e qëndrueshëm bujqësor.

Nga veprimtaria bujqësore në botë qarkullon 70% e ujit në rang global, sigurohet biodiversiteti dhe prodhohen vlera për ekosistemin./AgroWeb.org

Burimi:FAO