Gështenjat janë të pasura me vitaminë C, kalçium, fosfor, hekur, kalium dhe shumë minerale të tjera.

Duke qenë se janë kaq të pasura në vlera, gështenjat rekomandohen për momentet kur ndiheni të lodhur dhe të plogësht.

Kur janë të pjekura, gështenjat ofrojnë sasi të mëdha proteinash, yndyrnash dhe vitamine E.

Vlerat ushqimore të gështenjës

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, në 100 gramë gështenja do të gjeni, 67 mg vitaminë B, 27 mg kalçium, 2,38 mg hekur, 175 mg fosfor, 6.4 mg proteina dhe 374 mg kalori.

Përveç pjekjes, ju mund t’i shijoni gështenjat edhe duke i përfshirë në sallata dhe ëmbëlsira.

Gështenja përshtatet shumë mirë si me sheqerin ashtu edhe me kripën.

Ju mund t’i zieni ato me dafina siç e bëjnë italianët, ose t’i zieni në qumësht si në disa zona në Veri të Shqipërisë.

Përbërësit:

Për 4-5 persona

1,5 kg gështenja

1 lugë gjelle miell

2 filxhanë çaji qumësht

1 lugë gjelle gjalpë

2 lugë kafeje sheqer

1 lugë kafeje kripë

Përgatitja

Gështenjat duhet t’i lani dhe t’i fusni në një tenxhere për t’u zier në zjarr mesatar.

Ato nuk duhen zier plotësisht dhe duhen hequr nga zjarri kur janë gjysmë të ziera.

Më pas qërojini dhe shtojini në një tenxhere bashkë me qumështin.

Në një enë tjetër përzihet mielli me pak qumësht dhe hidhet te gështenjat, shtohet kripa dhe sheqeri.

Pasi këto të jenë përzier mirë së bashku, lërini të marrin një valë deri sa masa të trashet.

Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtoni gjalpin e freskët.

Fakte interesante për gështenjat

Falë përmbatjes së lartë të niseshtes, gështenjat janë përdorur edhe për të prodhuar birrë, sidomos në Francë, Evropën qendrore dhe në Brazil

Pas tharjes, gështenjat mund të bluhen dhe të prodhojnë një miell shumë cilësor.

Mielli i gështenjës është pa gluten.

Gështenjat janë të vetmet arrorë që përmbajnë vitaminë C.

Gështenjat e pjekura janë popullore sidomos në periudhën vjeshtë -dimër. Në shumicën e rasteve konsumohen të ziera, për edhe të gatuara, si dhe mund t’i shtoni në supa të ndryshme./AgroWeb.org