Gliko Domate – Mjeshtëria Artizanale Shqiptare

1.3k 0

Tradita e grave shqiptare në përgatitjen e glikove është ndër më të spikaturat. Fantazia dhe përkujdesja në përgatitje si dhe shija magjike e tyre, i bën glikotë një nga produktet më të kërkuara “Made in Albania”.

E nëse tradita si fillim nisi shumë dekada më parë me përgatitjen e glikove të famshme të shalqinit, arrës apo qershisë, sot kjo traditë është pasuruar edhe më tej jo vetëm në përgatitjen e thuajse të gjitha frutave në gliko por gjithashtu edhe perimet.

Shumëkush është çuditur kur ka dëgjuar për herë të parë domatet gliko, por nëse më pas ka pasur rastin ti shijojë ato me siguri është mahnitur nga shija përsosur e tyre.

Në vijim të publikimit të recetave shqiptare të glikove, AgroWeb.org sjell sot recetën unike shqiptare në përgatitjen e glikosë së domateve.

Në nisje të përgatitjes së kësaj glikoje, fillimisht siguroni të gjithë përbërësit e shënuar në fund të këtij artikulli.

Për këtë lloj glikoje duhet të zgjedhim domatina të vogla ose domate me formë të stërgjatur por përmasa e tyre duhet të jetë e vogël.

Delikatesë në Përgatitje

Procesi i përgatitjes së domateve gliko është delikat. Vendosim në zjarr një tenxhere të mbushur me ujë dhe e lëmë të vlojë.

Pasi uji është nxehur vendosim brenda domatet për vetëm një minutë.

Më pas, i heqim nga tenxherja dhe i kullojmë nga uji. I marrim një e nga një dhe u heqim lëkurën me shumë kujdes.

Me një thikë krijojmë një gropë shumë të vogël në pjesën fundore të domateve dhe i shtrydhim për tu nxjerrë farat.

Pas këtij procesi, përgatisim në një enë ujin me gëlqere dhe vendosim domatet duke i lënë rreth tre orë.

Pas tre orësh domatet i nxjerrim nga uji me gëlqere dhe shpëlajmë mirë me ujë të bollshshëm derisa të sigurohemi që uji i gëlqeres është larguar tërësisht. Sipas dëshirës, domateve mund t’u vendosim në gropëzën e hapur nga një bajame të bardhë.

Pas këtij procesi, përgatisim sherbetin. Në një tenxhere hedhim ujin dhe sheqerin dhe i lëmë të vlojnë përrreth 10 minuta.

Më pas në enën me sherbet vendosim domatet dhe i valojmë përreth 5 minuta ndërsa zjarrin e vendosim në nivel të ngadaltë.

Pasi i heqim nga zjarri, i lëmë në tenxhere për një ditë të plotë ndërsa shtojmë, vaniljen dhe karafilat.

Ditën tjetër, i hedhim lëngun e limonit dhe i vendosim sërish në zjarr duke i vluar për pak, derisa sherbeti të lidhet.

Pas këtij procesi, glikotë e domates janë gati. Pasi ftohen i vendosim në vazo qelqi dhe i ruajmë në frigorifer.

Përbërësit e Glikosë së Domates

  • 2 kg domate të vogla
  • 2 kg sheqer
  • 2 lugë të vogla vanilje
  • 2 lugë me lëng limoni
  • 4 filxhan çaji me ujë
  • 3 fara karafili
  • Bajame aq sa kokrra domate kemi
  • Ujë gëlqere (Uji me gëlqere përgatitet shumë thjeshtë)

Përgatitja

Në një enë të madhe hedhim tre litra ujë dhe dy lugë pluhur gëlqere.

I përzjejmë derisa të përftojmë një masë të njëtrajtshme dhe më pas e kullojmë, për ta përdorur për procesin e glikosë./AgroWeb.org