Nuk keni tokë? S’ka problem. Ajo çfarë ju duhet është pak hapësirë, pak ujë dhe në një kohë rekord mund të keni domate, lakra, kastraveca e çfarëdolloj produkti tjetër.

Nuk po ju dërgojmë në Mars, por po ju prezantojmë me një trend të ri në bujqësi: hidroponinë që bën të mundur që të rrisni ushqimin pa tokë.

Kjo është një metodë e përdorur nga fermerët në një farë mase edhe për t’ia bërë me hile stinëve, duke qenë se ato kultivohen në çdo periudhë të vitit, pa pasur nevojën e energjisë diellore, por edhe si një nevojë për të kultivuar produkte sa më organike.

Për shumë skeptikë, hidroponia shihet si ai fëmija që duhet akoma të përshtatet më shokët e klasës.

Kjo, pasi metoda e mbjelljes së produkteve jo në tokë, por vetëm duke përdorur solucione të pasura me ushqyes që shkojnë direkt në rrënjën e bimës, është më shumë një risi sesa një praktikë e njohur mes fermerëve.

E megjithatë, kjo duket se po ndryshon edhe në Shqipëri. Jo shumë larg nga Durrësi, në Spitallë domatet, kastravecat dhe sallata rriten me sistemin hidroponik.

Bashkim Alushi, ekspert i bujqësisë tregon për AgroWeb se “Avantazhi më i madh i rritjes së perimeve me sistemin hidroponik është se ul përdorimin e pesticideve”.

Hidroponia, sipas Alushit, bën të mundur pasjen e një rendimenti të lartë në prodhim, ka një kosto të ulët të krahut të punës dhe ka më shumë kontroll ndaj mjedisit.

“Mund të them që kjo është e ardhmja e bujqësisë shqiptare. Ne kemi më shumë se 100 mijë hektarë tokë kripore, që është jashtë funksionit. Hidroponia është zgjidhja tek e cila duhet të drejtohen fermerët”, thotë Alushi.

Por më parë duhet të peshoni mirë xhepin dhe të hapni mendjen.

Sepse të nisësh biznesin e hidroponisë nuk është as e thjeshtë dhe as e lirë.

Investimi fillestar për pajisjet e hidroponisë është i lartë, ashtu si dhe njohja e thellë që kërkon ky sistem, që është shumë i ndryshëm nga bujqësia standarte.

Avantazhet

Hidroponia është një metodë e rritjes së bimëve duke përdorur solucione ushqyese minerale në ujë pa tokë.

Kjo metodë mund të implementohet në vende, ku toka nuk është ideale për të kultivuar produktin e dëshëruar.

Kjo mund të përdoret edhe në tarraca, duke shfrytëzuar vendet me hapësira të vogla.

Në hidroponi toka nuk hyn në punë dhe si e tillë nuk ka kufizim mbi llojin e produkteve të kultivuara.

Uji mund të riciklohet, ndaj dhe është me avantazh për zonat që vuajnë nga thatësirat.

Lënda ushqyese nuk humbet për shkak dhe të qarkullimit.

Prodhim i lartë dhe i qendrueshëm për shkak se bimët nuk përdorin shumë energji duke kërkues ushqyesit në tokë, duke bërë që të investohen më shumë në rritjen e bimës. Në hidroponi ushqyesit shkojnë direkt tek rrënjët.

Ka më pak sëmundje, për shkak të mungesës së tokës dhe baktereve.

Duke qenë se hidroponia është e lëvizshme, fermerët mund t’i kultivojnë produktet duke ulur kështu kostot e transportit.

Ka kosto më të ulët të punës, duke qenë se përdoren pompa dhe kompjuter.

Hidroponia është një teknikë relativisht e thjeshtë dhe me pak njohje mund të aplikohet lehtësisht.

Disavantazhet

Edhe pse përdorimi i hidroponisë është i lirë po të përdoret në afatgjatë, investimi fillestar është relativisht i lartë, për shkak të pajisjeve të shtrenjta.

Kushtet e hidroponisës (prezenca e fertilizuesve dhe lagështisë së lartë) krijojnë një mjedis që stimulon rritjen e salmonelës.

Kërkon përdorimin e ujit të pandotur

Në të gjithë botën, hidroponia po shihet si një mënyrë e re moderne e të bërit bujqësi.

Dhe që shumë shpejt pritet të kthehet në pjesë integrale e prodhimit të ushqimit, qoftë ai që blejmë në supermarket, apo ai që rritet në oborrin e shtëpisë apo në serrën e fermerit. Kultivim të mbarë!/AgroWeb.org