Një mënyrë fantastike për të shijuar limonët në versionin e ëmbël, të karamelizuar.

Këto ëmbëlsira të vogla janë fantastike për t’u shijuar e më të dashurit në familje, mund të ofrohen si gosti ndaj miqve, por tani që festat e fundvitit po afrojnë ato mund të ofrohen edhe si dhurata gjithashtu.

Limoni është një agrume plot vlera dhe përfitime për shëndetin tonë.

Ai ka një shije të mirë pavarësisht kundërshtarëve që nuk e durojnë athtësinë e tij.

Sa herë ju ka ndodhur që nga dëshira e madhe për të ngrënë limon, e keni ngjyer atë me sheqer?

Limoni bashkë me agrumet e tjera përdoren shumë në përgatitjen e ëmbëlsirave dhe shurupëve sepse kanë një aromë karakteristike të thellë e të mprehtë.

Me recetën e rekomanduar nga AgroWeb.org do të keni mundësi të shijoni feta të karamelizuara limoni sa herë që t’ju shkojë mendja për agrume apo ëmbëlsira.

Përbërësit e kësaj recete janë të thjeshtë.

Përgatitja e limonëve të ëmbël është po aq e lehtë.

Përbërësit

  • 3 limonë
  • 2 gota me sheqer
  • 1 gotë e gjysmë me ujë

Udhëzimet

  • Prijini limonët në feta të holla dhe hiqni farat
  • Ngroheni ujin në një tenxhere të madhe.
  • Shtoni sheqerin dhe lëreni të shkrihet ngadalë në një temperaturë mesatare.
  • Sapo lëngu të fillojë të ziejë shtoni fetat e limonit.
  • Lërini të ziejnë për një orë
  • Rrotullojini fetat e limonit çdo 15 minuta.
  • Pas një ore hiqini fetat e limonit nga shurupi dhe vendosini mbi një letër kuzhine
  • Lërini të përthahen për 24 orë.
  • Më pas futini në një enë të mbuluar duke vendosur limonët dhe letrën e kuzhinës në shtresa që të parandaloni ngjitjen mes fetave
  • Futeni enën në frigorifer

Në këtë mënyrë, fetat e limonit mund të zgjasin për 2-3 javë.

Nëse dëshironi të keni një shije më superior, spërkatini fetat e limonit me pak sheqer pluhur përpara se t’i servirni./AgroWeb.org