Tregu i frutave dhe perimeve është zakonisht një mozaik ngjyrash. Në vjeshtë e dimër, ky mozaik ka ngjyrat e tokës, siç është ajo e kungullit.

Por ju ftojmë të lexoni për një kultivim të ri eksperimental që ende nuk ka hyrë gjerësisht në treg – lulelakrat ngjyrë vjollcë dhe ngjyrë portokalli.

Lulelakrat me ngjyrë të ndezur kanë nisur të lulëzojnë disa vite më parë në disa ferma të veçanta shqiptare të orientuara drejt eksportit.

Këto ferma prodhojnë perime me porosi për blerësit jashtë shtetit. Këto produkte të papara për konsumatorin e thjeshtë janë kthyer tashmë në objekt interesi për shumë tregje Evropiane.

Ku e merr ngjyrën vjollcë lulelakra?

Nëse mendoni se lulelakra lyhet me bojë ose ngjyrosës artificialë, e keni krejt gabim.

Kjo ngjyrë e bukur vjollcë, nuancat e së cilës janë të shumëfishta, shkaktohen nga një antioksidant i quajtur anthocianinë që gjendet tek lakra e kuqe dhe vera e kuqe.

Lulelakra me ngjyrë u zbulua për herë të parë në Kanada në vitin 1970, ndonëse u deshën shumë vite përpara se konsumatori të prodhonte shijen e saj. Ngjyra vjen nga një proces shartimi natyral që e lejon bimën të përmbajë më shumë beta karoten.

Lulelakra vjollcë përmban 25% më shumë vitaminë A se sa lulelakra e bardhë.

Çfarë shije ka?

Lulelakra ngjyrë vjollcë ka të njëjtën kurorë, përmbajtje dhe fortësi si simotra e saj e bardhë.

Ndryshimi qëndron tek shija. Lulelakra ngjyrë portokalli ka një shije të më të fortë, pak të ëmbël dhe kremoze.

Lulelakra ngjyrë vjollcë ka të njëjtat karakteristika, por ka një shije me nuanca arrorësh.

 

Kujdes me freskinë

Nuancat e lulelakrës me ngjyrë variojnë nga më të butat në më të ndezurat, ndaj ngjyra nuk është shenjë e freskisë.

Megjithatë ngjyra duhet të jetë uniforme dhe kokrrat e lulelakrës duhet të jenë të pastra nga pikat ose njollat.

Lulelakra duhet të peshojë ndjeshëm në dorë dhe gjethet duhet të duken të freskëta dhe të ndezura.

Nëse gjethet janë të ‘lodhura’ atëherë do të thotë që nuk keni të bëni me një produkt të freskët.

Si të gatuani lulelakrën me ngjyrë?

Lulelakra me ngjyrë gatuhet në të njëjtën mënyrë si ajo e bardha. Mund ta piqni, ta gatuani me avull, ta bëni pure, ta shoqëroni me oriz ose ta bëni supë.

Mos harroni që lulelakrën me ngjyrë mund ta hani edhe të gatuar në avull. Është shumë e shijshme dhe me vlera. Por në mungesë të ngjyrave, edhe lulelakra e bardhë është plot shëndet./AgroWeb.org