Amerika Nën Magjinë e Bimëve Mjekësore Shqiptare

498 1

“Një çaj lavande i ngrohtë, mente, trumzë dhe borzilok”, recetë e lashtë, e përmendur nga Shekspiri në Përrallë Dimri dhe gjithkush është i lirë të mendojë efektin e bekuar shëronjës të shpirtrave të trazuar.

Ka vetëm një vend të bekuar në Europë, me qindra lloje bimësh shëronjëse e aromatike. Shqipëria, sherebela e së cilës shijohet nga mijëra familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendi ynë zë 70% të tregut sherebelës në Amerikë, por sherebelës sonë autoktone të quajtur ‘albanian sage’ i kanoset një rrezik i madh.

Për shkak se kërkesat nga jashtë janë të larta, ka nisur të mbillet pa kriter farë e huaj sherebele, hollandeze, polake e madje edhe kineze.

Shijuesit e çajit ‘albanian sage tea’ e kanë nuhatur këtë ndryshim dhe kultivuesve të sherebelës shpesh i mbetet malli stok i kthyer nga tregjet eksportuese.

Mungesa e tregjeve, pasojë edhe e mosfunksionim të hallkave nga kultivimi deri në eksport, është një nga problemet madhore të këtyre fermerëve, por ka edhe të tjera.

“20% ia falim diellit dhe 20% shtetit” është shqetësimi nga grumbulluesit e Koplikut për TVSH-në 20% dhe vështirësitë për ta rimbursuar atë nga shteti.

Infrastruktura, kushtet për ruajtjen, teknologjia për tharjen, problematika e çertifikimit të tokës të kërkuara për përfitim nga skemat e finacimit, të gjitha këto kërkojnë një vemendje më të madhe dhe më afatgjatë.

Zgjidhjet janë shpesh më të qarta nga ata që i përjetojnë problemet. Ndaj, kultivuesit, grumbullesit dhe përpunuesit e bimëve mjekësore në Shqipëri kërkojnë mbështetje.

Çfarë kërkohet

Përpunuesit e bimëve mjekësore nuk kërkojnë asgjë të jashtëzakonshme përveç garantimit të markës autoktone shqiptare. Ja disa nga kërkesat e tyre në renditura nga AgroWeb.org:

  • Ndalimi i stimulimeve jashtë normave dhe jashtë kritereve te plehrave kimike dhe pesticideve
  • Nxitja e grumbullimit të bimëve të tjera të kërkuara si rigon, rozmarina, tymus në rrethet e tjera të favorshme
  • Hapja e tregjeve me Rusinë, Kinën, Singaporin
  • Ndalimi i mbjelljes së fidanëve jo autoktonë
  • Vendosja e kritereve rigoroze të ambalazhimit të posaçëm dhe etiketimi specifik
  • Mbështetje financiare për investime në makineritë për tharjen

Sherebela shqiptare, tregojnë specialistët, nuk ka të krahasuar me fidanët hollandez. Ndaj duhen nxitur fidanishtet me farë autoktone shqiptare.

AgroWeb.org raporton se 1 kg sherebelë u blihet me më pak se 4 dollarë fermerëve shqiptarë, ndërsa në Amerikë në Walmart vetëm 20 gramë sherebelë shqiptare shitet rreth 5.2 dollarë.

Veç të tjerash vihet re një rënie e ndjeshme e çmimit të blerjes së sherebelës në Shqipëri duke dëmtuar komunitetin e mbledhësve të saj./AgroWeb.org