Manat e Mrekullueshme Shqiptare – Ëmbëlsia Natyrale Plot Shëndet

922 0

Të freskëta plot shije, sapo kanë dalë në treg! Manat e njohura ndryshe edhe me emrin Duda kanë përdorim të gjerë në mjekësinë popullore ku përdoren frutat dhe gjethet.

Frutat e manit konsumohen të freskëta, ato janë freskuese dhe të shëndetshme.

Manat përmbajnë rreth 9 për qind sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj.

Por AgroWeb.org ju kujton se një mënyrë shumë e mirë për të përfituar nga manat është pekmezi apo shurupi i tyre.

Përgatitja e pekmezit nuk kërkon sheqer apo aditivë, që do të thotë se ky lëng është i ëmbël në mënyrë natyrale.

Pekmezi përgatitet nga zierja e manave të çfarëdo ngjyre.

Gjatë pranverës, në shumë fshatra të vendit, mblidhen manat dhe prej tyre nxirret lëngu karakteristik.

Lëngu i manave hidhet në kazanë bakri, ku përzihet dhe zihet deri sa të trashet në formën e mushtit.

Pasi proçesi i gjatë i zierjes përfundon, lëngu vendoset në kavanozë dhe ruhet për gjithë vitin.

Pekmezi ose shurupi i manave përdoret për acarimet e zgavrës së gojës si stomatitet dhe faringitet.

Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes.

Pekmezi përdoret, gjithashtu, në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë.

Nëse e konsumoni në mëngjes, pekmezi mund t’ju japë shumë energji për gjithë ditën.

Shija e tij mund të ngjasojë me atë të mjaltit, por të një niveli më superior.

Pekmezi mund të shijohet në shumë trajta të ndryshme.

Ai përdoret në ëmbëlsira si zëvëndësues natyral i sheqerit në proçesin e pjekjes.

Por përveç pekmezit, edhe lëngu i manave të freskët ofron vlera shumë mirëbërëse për shëndetin, sidomos në pastrimin e gjakut në ciklet e stinës së pranverës, veti të cilat AgroWeb.org ju fton t’i ndiqni në vijim.

Vlerat e Lëngut të Manave

Shëron sëmundjen e membranës së gojës tek të rriturit dhe fëmijët

Lehtëson infeksionet e fytit

Ul tensionin e lartë të gjakut

Pastron gjakun në stinën e pranverës

Rregullon punën e organeve të sistemit të tretjes dhe ndihmon tretjen e ushqimit

Largon lodhjen dhe plogështinë dhe rrit rezistencën e organizmit

Përdoret për kurimin e anemisë, problemeve të tretjes dhe gastritit kronik

Si ta përgatisni

Shumë thjeshtë! AgroWeb.org ju udhëzon që manat e freskëta i shtrydhni në mikser dhe përfitoni një lëng magjik, i cili nëse pihet në mëngjes do t’ju mbushë me energji dhe dinamizëm.

Mushtin e frutave të manit mos e hidhni, por mund ta përdorni si shtesë në brumin e ëmbëlsirave tuaja./AgroWeb.org