Perimet në Ballkon – Eksperienca Interesante e Dy Gazetareve

259 0

Perimet në ballkon kanë qenë shpesh pjesë e artikujve dhe këshillave të AgroWeb.org. Ermelinda Hoxhaj dhe Ola Mitre janë dy gazetare dhe dy nëna të reja, të cilat kanë vendosur që në ballkonet e tyre të mbjellin perime dhe luleshtrydhe. “Nxitje ka qenë AgroWeb. Lexuam shumë artikuj mbi rritjen e zarzavateve në ballkon dhe thamë: Pse jo?! Të paktën fëmijët tanë të provojnë shijen e vërtetë dhe t’ua japim pa merak”, thonë dy gazetaret.

Ermelinda dhe vajza e saj Ajsel e kanë kthyer, veç të tjerash edhe në argëtim mbjelljen në ballkon. Edhe agrumet janë pjesë e shumëllojshmërisë, për të cilat nënë e bijë kujdesen. 

“Arsyeja që vendosa të mbjell disa nga zarzavatet kryesore në ballkon është jo thjesht pasiguria ushqimore, por dhe një formë argëtimi së bashku me vajzën time. Si ide më lindi nga disa mikesha të mia që këtë eksperiencë e kanë nisur para 4 vitesh, si edhe duke lexuar mbi mënyrat e mbjelljes së perimeve në ballkon. Ky është viti i dytë që unë dhe Ajsel mbjellim zarzavate si domate, kastravec, speca, hudhër por edhe luleshtrydhe. Madje këtë vit, që pranvera kishte temperatura më të ulëta, luleshtrydhet na kanë ecur shumë mirë”, tregon Ermelinda.

Ndërsa Ola, që e ka për herë të parë këtë eksperiencë tregon se, “Idea fillestare ishte të zëvendësoja lulet e thara në dimër, por një shkrim i lexuar në AgroWeb.org më bëri të ndryshoj mendim: Te këto vazo mund të mbillja perime dhe suksesshëm mund të merrja edhe prodhim prej tyre. Më pëlqeu shumë idea se do të mund të kisha perime të freskëta dhe të rritura natyralisht.. Sidomos për djalin tim, për të cilin mundohem të siguroj ushqimet më të mira. Kjo edhe për faktin sepse si gazetare e temave sociale, shpesh kam rastin të trajtoj çështje të sigurisë ushqimore”, tregon Ola për AgroWeb.org.

Gjetja e kohës së duhur

Dy gazetaret nuk e kanë pasur fare të vështirë gjetjen e fidanëve të cilat shiten në çdo treg fshatarësh, madje Ermelinda farën e domates e ka mbajtur nga vjeljet e vjetshme. Si mjaft të zëna me punë dhe përkujdes familjar, mbjellja e perimeve e përkujdesi për to nuk i merr shumë kohë gazetareve.

“Jo çdo ditë u kushtoj kohë të mbjellave në ballkon. Por në fazën që i mbjell bëj përzierjen e plehut, marrim dhe humus në pyllin e Dajtit. Kjo kërkon pothuajse gjysmë dite. Ditët e tjera më pak kohë, vetëm i ujisim”, thotë Ermelinda. E njejta vlen edhe për Olën, e cila thotë se, “Kujdesi i vetëm që duhet të tregoj ndaj tyre është ujitja. Për këtë arsye më nevojiten vetëm 5 minuta në ditë”.

Siguria ushqimore

Shkaku kryesor i nënave të reja për të mbjellë perime në ballkon është mungesa e sigurisë ushqimore të cilën e hasim çdo ditë. “Produktet bazë si qumësht, bukë, mish sipas ekspertëve nuk janë gjithmonë të sigurta. Kjo për arsye sepse kontrollet që duhet të bëjnë institucionet dhe strukturat përkatëse të sigurisë ushqimore nuk janë në nivelin e duhur. Ne si konsumatorë jemi të papërfaqësur përballë një shteti që është bërë njësh me bizneset dhe industrinë ushqimore.”

‘Perimet nuk janë të përjashtuara në këtë drejtim, ndaj, tregon Ola, jam munduar që një sasi të vogël ta marr prej ballkonit tim, gjë që ua sugjeroj të gjithëve’. /AgroWeb.org