Prevedeja e Manave – Shije dhe Shëndet nga Natyra

388 0

Tradita e ëmbël e amvisave shqiptare është fantastike jo vetëm në shijet mahnitëse e delikate që ofron por në shumë raste edhe në aftësitë shëruese të disa recetave të veçanta e natyrale.

Një prej këtyre recetave është prevedeja e manave , të cilët, të freskët dhe plot shije tashmë në sezonin e tyre gjenden kudo në treg.

AgroWeb.org ju përcjell më poshtë recetën tradicionale të përgatitjes së prevedesë me mana në shtëpi, traditë që është trashëguar brez pas brezi nga amvisat shqiptare.

Prevedeja është një shurup natyral dhe fantastik në vlerat ushqyese për organizmin.

Përgatitja e prevedesë nuk kërkon sheqer apo aditivë, që do të thotë se ky lëng është i ëmbël në mënyrë natyrale.

Prevedeja përgatitet nga zierja e manave të çfarëdo ngjyre.

Gjatë pranverës, në shumë fshatra të vendit, mblidhen manat dhe prej tyre nxirret lëngu karakteristik.

Përgatitja e Prevedesë së Manave

Për përgatitjen e prevedesë do të duhen disa kilogramë mana të cilat shtrydhen mirë dhe lëngu i tyre kullohet.

Më pas lëngu i manave hidhet në tenxhere, ku përzihet dhe zihet deri sa të trashet në formën e mushtit.

Pasi proçesi i gjatë i zierjes përfundon, lëngu vendoset në kavanozë dhe ruhet për gjithë vitin.

Përdorimet për Shëndetin

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, prevedeja ose shurupi i manave në mjekësinë popullore përdoret për acarimet e zgavrës së gojës si stomatitet dhe faringitet.

Në këto raste lyhet goja dhe gryka me prevede, sidomos në darkë para fjetjes.

Shurupi nga prevedeja e manave përdoret, gjithashtu, në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta konsumoni prevedenë në formën e shurupit të holluar në mëngjes pasi ai do t’ju japë shumë energji për gjithë ditën.

Por përveç prevedesë, edhe lëngu i manave të freskët ofron vlera shumë mirëbërëse për shëndetin, sidomos në pastrimin e gjakut në ciklet e stinës së pranverës.

Zëvendësues Natyral i Sheqerit

Shija e tij mund të ngjasojë me atë të mjaltit, por të një niveli më superior.

Prevedeja mund të shijohet në shumë trajta të ndryshme.

AgroWeb.org ju këshillon ta përdorni atë edhe në ëmbëlsira si zëvëndësues natyral i sheqerit në proçesin e pjekjes./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.