Qershori është një muaj i shkëlqyer për të mbjellë disa prej perimeve dhe barishteve më të shëndetshme.

AgroWeb.org sjell për ju listën e produkteve më të mira që mund të mbillni në oborret dhe ballkonet tuaja.

Mjafton të zgjidhni farat dhe fidanët e duhur dhe mund të krijoni një oaz të shëndetshëm bimësh, perimesh dhe frutash në ballkonin ose verandën tuaj.

Borziloku

Gjethet e freskëta të kësaj bime aromatike janë fantastike për shumë gatime verore.

Borziloku zakonisht kushton pak por gjithmonë është më mirë ta rrisësh vetë.

Borziloku ka nevojë për ngrohtësi dhe sistem të mirë kullimi në saksinë e përzgjedhur.

Në një saksi mbillni 3-4 fara borziloku dhe mbulojini me dhe’ të ushqyer me pleh organik.

Saksinë vendoseni në një parvaz dritareje deri në çeljen e fidanëve.

Kur moti të jetë përfundimisht i ngrohtë, saksinë zhvendoseni jashtë në ballkon në një vend të ndriçuar mirë.

Gjatë ujitjes sigurohuni që gjethet të mos lagen.

Kur borziloku të jetë rritur plotësisht e të ketë zënë rrënjë, zhvendoseni në një saksi më të madhe.

Mblidhni gjethet që ju duhen rregullisht dhe vazhdoni ta ushqeni dheun me pleh të pasur.

Borziloku nuk zgjat gjithë verën, ndaj mund të bëni një mbjellje tjetër në fund të Korrikut.

Kungujt E Njomë Dhe Kungulli I Verdhë

Në Qershor blini fara për të dy llojet dhe futini në saksi.

Mbulojeni secilën farë me dhe dhe sipër saj vendosni nga një kavanoz qelqi që të siguroni nxehtësinë e duhur deri sa të çelin filizat.

Më pas bashkë me kavanozin hiqni edhe filizat më të dobët.

Sigurohuni që  farat t’i keni mbjellë në hapësirë nga njëra tjetra sepse si kungulleshkat ashtu edhe kungujt e verdhë duan shumë vend.

Zgjidhni saksi të mëdha dhe ujitini rregullisht.

Karrotat

Farat e karrotave duhen mbjellë në një thellësi rreth 1 centimetër dhe në rreshta.

Filizat duhet të qëndrojnë 2 centimetra larg njëri tjetrit.

Ujitja duhet të jetë e vazhdueshme dhe e rregullt.

Karrotat mblidhen kur të kenë arritur përmasat e duhura gjë që ndodh 7 deri në 10 javë pas mbjelljes.

Ju mund t’i mbillni barishtet dhe perimet edhe me fidanë. Ato i gjeni në tregun e fshatarëve apo në farmacitë bujqësore.  /AgroWeb.org