Vjollca, Lulja Bujare me Vlera e Shqipërisë

867 0

Vjollca është një lule të cilës i thurin lavde, jo vetëm për bukurinë e saj. Ajo është një lule që përdoret shumë në kurat mjekësore popullore.

Shurupi i lule vjollcës arrin të shërojë fytin e lënduar nga gripi dhe të ftohtit duke ndihmuar me nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes dhe kundër enjtjes së gjendrave limfatike.

Vjollca mund të përdoret edhe kundër kollës së thatë dhe infeksioneve të veshit. Gjatë gjithë historisë së saj, vjollca është përdorur si bimë shëruese.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, vjollca përmban flavonoidë, saponinë, alkaloide dhe taninë, që ndihmojnë organizmin të shërohet nga disa probleme shëndetësore.

Varieteti më i përdorur në mjekësinë popullore është Viola Odorata, e megjithatë edhe varietete të tjera të shpërndara në Evropë funksionojnë në të njëjtën mënyrë.

Viola Odorata është përshtatur shumë mirë edhe me territorin Shqiptar ku e gjejmë me tepricë.

Vjollcat përmbajnë antioksidantë në formën e beta karotenit dhe acidit askorbik. Në një racion prej 140 mililitra të lëngut të vjollcave gjeni të njëjtën sasi të vitaminës C sa në katër kokrra portokallesh.

Flavonoidët ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut, alkaloidët hapin enët e gjakut dhe ndihmojnë në qarkullimin e tij.

Ndërsa saponina ka efekt qetësues dhe ndihmon kundër kollës dhe problemeve të tjera të traktit të frymëmarrjes.

Acidi salicilik tek vjollca funksionon kundër dhimbjeve dhe inflamacionit. Në të njëjtën mënyrë si aspirina ndihmon njerëzit që vuajnë nga artriti dhe problemet me kyçet.

Ekspertët e botanikës kanë zbuluar që lule vjollca përmban sasi domethënëse të rutinës, një përbërës i rëndësishëm për forcimin e kapilarëve.

Vjollca për zemrën

Vjollca është lulja e zemrës, për vetë faktin se prej mijëra vitesh kjo lule është përdorur për të shëruar problemet e zemrës, jo vetëm ato fizike por edhe emocionale.

Vjollca përmban rutinë që forcon kapilarët, parandalon mpiksjen e gjakut dhe shërben si anti inflamator.

Vjollca në ushqim

Vjollca përbën një ushqim delikat në kuzhinë. Gjethet e saj të freskëta përdoren hijshëm në sallata të ndryshme.

Lulet janë të ngrënshme dhe shumë të bukura që do të thotë se ato i japin hije dhe shije çdo gatimi. Lulet mund të përdoren edhe për përgatitjen e shurupëve, ëmbëlsirave dhe reçelit.

Lule vjollca ka një shije të mirë dhe ka plot ushqyes të rëndësishëm siç është vitamina C. Ka disa studime sipas të cilave, vjollca ka më shumë vitaminë C se çdo lule tjetër.

Vjollca në çaj

Lulet e vjollcë përdoren madje për të përgatitur një çaj të mrekullueshëm me efekte të mira kundër bllokimit nga rrufa, vështirësive në frymëmarrje, bronkiteve, si edhe fytit të acaruar.

Mund të përdorni në çaj lule të freskëta, por shija është edhe më e fortë kur përdorni lule të thata. Vjollcat thahen brenda 10 ditësh ndaj nuk është e vështirë të përdorni petalet e thata.

Dy lugë çaji me vjollca mjaftojnë për një kupë çaji krejtësisht shijemirë.

Vjollca kundër inflamacionit

Vjollca përdoret kundër artritit dhe dhimbjeve të kyçeve.

Vjollca është një lule bujare dhe aspak kryeneçe. Ajo mund të rritet lehtësisht në hapësirat e gjelbërta pranë shtëpive tuaja. Lulet e egra rriten me tepricë në Veri.

Me lulet e freskëta mund të përgatisni shurup, vajra, uthull dhe pomadë. Gjethet dhe lulet e freskëta mund të përdoren në sallata dhe në gatime të tjera, duke nxjerrë një produkt përfundimtar të bukur dhe të rrallë.

Lulet e vjollcës janë një thesar bimor e mjekësor dhe nuk duhen anashkaluar që të përfitoni shumë prej tyre./AgroWeb.org