Yshmer i Myzeqesë – Qumështor me Petë të Pjekura

6.9k 1

Myzeqeja është e famshme për traditën e saj në kuzhinë. Specialitete të veçanta të përgatitura me produkte të freskëta të zonës janë pjesë e pandashme e menusë tradicionale të saj.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e një prej gatimeve më të veçanta të Myzeqesë, atë të Yshmerit, i njohur ndryshe si qumështor me petë të pjekura, një traditë e vjetër, krejt e shijshme.

Ideal për t’u shërbyer në raste festash e gëzimesh familjare, Yshmeri qendron padyshim në krye në listës së gatimeve të shijshme shqiptare.

Ai mund të përgatitet në dy mënyra, i ëmbël ose i kripur, e sigurisht në të dyja rastet shija e tij të mahnit njëlloj.

Në rastet e përgatitjes së Yshmerit të kripur, ai shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, supa të lehta, por edhe me zahiretë e famshme shqiptare siç janë turshitë me perime të ndryshme.

Në rastet kur Yshmeri përgatitet i ëmbël, ai është një ëmbëlsirë e mrekullueshme për t’u konsumuar në çdo kohë, veçanërisht pas vakteve të drekës apo darkës por edhe në momente të tjera gjatë ditës.

Në fshatrat e Myzeqesë, Yshmeri piqet në prush me saç, e padyshim që shija e tij në këtë rast bëhet edhe më speciale.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën tradicionale të përgatitjes së këtij gatimi unik krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Yshmerit në Shtëpi

Përbërësit

  • 3 gota miell gruri
  • 4-5 gota qumësht
  • 3 kokrra vezë
  • 2-3 filxhan kafeje gjalpë
  • Sheqer ose kripë

Për përgatitjen e petëve

Brumi përgatitet si për byrek të zakonshëm.

Petët hapen dhe piqen në furrë.

3-4 petë lihen të papjekura mënjanë.

Mund të përdorni edhe petë gatshme.

Përgatitja e Yshmerit

AgroWeb.org ju sugjeron që për përgatitjen e Yshmerit të përdorni qumësht dele ose lope fshati.

Në një tavë të lyer me gjalpë shtrohen si fillim petët e papjekura.

Pasi spërkaten me gjalpë, vendosen petët e pjekura mirë dhe të thërrmuara.

Në një tas rrihen vezët, shtohet qumështi, gjalpi dhe sheqeri ose kripa sipas preferencës.

Në rastet kur preferohet të përgatitet i ëmbël hidhen 2-3 lugë sheqer, ëmbëlsia vendoset sipas preferencës.

Në rastet kur përgatitet i kripur hidhet një lugë gjelle kripë, jo e mbushur plot. Megjithatë sasia hidhet sipas dëshirës.

Yshmeri vendoset në furrë dhe piqet sa të jetë gati.

Kur është i kripur shoqërohet i ngrohtë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.