Gjethet e Kungullit Plot Minerale Jetësore

456 0

Gjethet e kungullit janë të ngrënshme madje shumë të shijshme. Në shumë vende të botës, gjethet e kungullit janë pjesë e dietës së përditshme.

Shija e tyre është e ngjashme me shpargun, brokolin dhe spinaqin.

Duke qenë se këto gjethe janë një burim i mirë ushqimor, ato konsumohen gjërësisht në Itali, Britani e Madhe dhe vende të tjera të Evropës dhe botës.

Kjo barishte ka filluar të shfaqet gjithmonë e më tepër në tezgat e tregjeve të fshatarëve, aty ku e ndeshi AgroWeb.org dhe po e sjell në vëmendjen tuaj.

Padyshim i keni kaluar para shumë herë dhe nuk keni ditur se për çfarë barishte bëhet fjalë.

Gjethja e kungullit është një barishte me ngjyrë të gjelbër të errët, e pasur me ujë, kalcium, kalium, fosfor, hekur, magnez, vitaminat A, K, C dhe folat.

Gjethet e kungullit janë të shëndetshme dhe të shijshme dhe të pasura veçanërisht me hekur dhe magnez, dy minerale jetësore për mirëqenien e organizmit.

Për më tepër kalciumi dhe vitamina C, vitamina A dhe vitaminat e kompleksit B janë thelbësore për organizmin dhe ofrojnë shumë vlera.

Mbrojnë shëndetin e zemrës

Gjethet e kungullit përmbajnë shumë fibër të tretshme, e cila ul përthithjen e kolesterolit dhe acidit biliar nga zorrët. Në këtë mënyrë konsumimi i gjetheve të kungullit ul nivelin e kolesterolit të keq në gjak.

Mbrojnë sistemin imunitar

Hekuri që gjendet me tepricë në gjethet e kungullit luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sistemit imunitar në organizmin e njeriut.

Zbusin dhe ushqejnë lëkurën

Gjethet e kungullit përmbajnë 5% të vlerës së rekomanduar ditore të Vitaminës A. Ato ndihmojnë në ushqimin e lëkurës, duke parandaluar tharjen dhe simptoma si ajo e psoriozës.

Forcojnë kockat

Gjethet e kungullit përmbajnë sasi të mëdha kalciumi dhe fosfori që janë thelbësore për shëndetin e kockave dhe dhëmbëve.

Sigurojnë shëndet të mirë dentar

Siç e kemi thënë dhe më parë, fosfori është tepër i rëndësishëm për kockat por edhe për shëndetin e dhëmbëve dhe mishrave.

Sipas burimeve të AgroWeb.org, kalciumi, vitamina D dhe fosfori luajnë së bashku një rol jetësor për formimin dhe mirëmbajtjen e shëndetit dentar.

Parandalojnë plakjen e parakohshme

Bakri që gjendet tek gjethet e kungullit është një antioksidant i fuqishëm që funksionon më mirë në prezencën e një enzime e cila mbron qelizat nga radikalet e lira.

Nëse në dietën tuaj ditore keni sasi të mjaftueshme të bakrit, atëherë ju do të keni një pamje më rinore për një kohë më të gjatë.

Si të konsumoni gjethet e kungullit?

Gjethet e kungullit mund t’i konsumoni së bashku me spinaqin për vlera të dyfishta, ose veçmas në të njëjtin stil gatimi.

Gjethet e kungullit mund të përfshihen në sallata, gatime me brumë, lakra të egra e shumë të tjera që ofrojnë vlera për mirëqenien tuaj./AgroWeb.org