Kaçamaku i Shtëpisë – Receta e Trevave Shqiptare

3.5k 0

Në ka një gatim që të ndjell oreksin ai është kaçamaku.

Ky ushqim është përgatitur në trevat shqiptare prej qindra shekujsh.

Në fillimet e kësaj recete të përhapur gjërësisht në të gjitha vendet e Ballkanit, kaçamaku servirej në kushtet e varfërisë.

Ai ishte një gatim i thjeshtë, i shpejtë, i shijshëm dhe ndjellës pa shumë kokëçarje në kuzhinë.

Por e mira e kaçamakut është që gjithnjë serviret kur familja është e mbledhur bashkë, ndaj konsiderohet si një ushqim i dashur i shtëpisë.

Me kalimin e viteve, recetat e kaçamakut janë përditësuar dhe përmirësuar me shumë përbërës shtesë, por receta fillestare, pra ajo e 100 viteve më parë është mjaft e thjeshtë.

Megjithatë, kjo recetë për të qenë më e shëndetshme mund të gatuhet shumë mirë edhe me vaj ulliri ekstra të virgjër në vend të gjalpit.

Përbërësi kryesor i kaçamakut është mielli, i misrit ose i grurit.

Recetat që ju rekomandon AgroWeb.org janë shumë të thjeshta dhe përgatiten mjaft lehtë dhe të pandryshueshme nga ato që kanë ngrënë të parët tanë.

Kaçamaku i Misrit

Përbërësit 

  • Gjysëm kilogram miell misri
  • Gjysëm lugë gjelle me kripë
  • 1 litër ujë
  • Gjysëm kilogram gjalpë

Ndiqni me Kujdes Udhëzimet

Marrim një tenxhere të pastër dhe e vendosim në zjarr.

Hedhim ujin dhe kripën dhe e lëmë të marrë një valë. Vendosim një lugë druri në mes të tenxheres dhe përreth saj hedhim miellin e misrit.

E lëmë të ziejë për gjysmë ore, pa hequr lugën dhe pa e përzier.

Pas gjysmë ore, e përziejmë qullin për 10 minuta deri sa të ngjeshet dhe të marrë formën e topit.

Më pas hedhim kaçamakun me lugë në tepsi.

Marrim një tigan të pastër dhe e vendosim në zjarr. Hedhim gjalpin dhe e lëmë të shkrihet.

Pasi të jetë nxehur ia hedhim sipër kaçamakut.

Kaçamaku i Grurit

Përbërësit

  • Gjysëm kilogramë miell gruri
  • 1 litër ujë
  • Gjysëm lugë gjelle me kripë
  • 200 gramë gjalpë

Përgatitja 

Marrim një tenxhere të pastër dhe e vendosim në zjarr.

Hedhim ujin dhe kripën dhe e lëmë të marrë një valë. Më pas hedhim miellin dhe e përziejmë menjëherë me lugë druri.

Përzierja duhet të jetë e fortë, e njëtrajtshme dhe e shpejtë.

Masa duhet përzier deri sa mielli me ujin të jenë tretur dhe të kenë formuar një top të shkrifët dhe pa kokrra.

Marrim një tepsi ose pjatë të gjërë dhe e hedhim kaçamakun duke përdorur një lugë druri.

Më pas shkrijmë gjalpin në tigan dhe pasi të jetë ngrohur e hedhim mbi kaçamak.

Në të dyja rastet, kaçamaku serviret i ngrohtë. Ai shoqërohet me kos dhe me djathtë dhie ose lope sipas preferencës./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.