Territoret shqiptare janë të bekuara me pemët e blirit, të cilat ofrojnë lule me vlera të mrekullueshme medicinale.

Në Shqipëri gjendet bliri fletëgjerë (Tilia platyphyllos) dhe bliri gjethevogël ose bli mali (Tilia parviflora).

Qershori është muaji më i mirë për të mbledhur lulet e blirit. Në treg ose në farmaci mund të gjeni paketime 70 gramëshe me lule bliri që kushtojnë edhe më shumë se 200 lekë.

Por AgroWeb.org ju tregon se mund të përfitoni duke i mbledhur vetë lulet e blirit dhe sjellim mënyrat e duhura për t’i mbledhur dhe ruajtur.

Bliri është një pemë së cilës i përdoren vetëm lulet, por ka patur mjaft raste kur persona të papërgjegjshëm i kanë prerë krahët mbajtës me sopatë për të mbledhur më me lehtësi gjethet.

Mbledhja e luleve të blirit

Lulet e blirit duhet të mblidhen në mëngjes kur është tharë vesa, në kohë të thatë dhe me diell.

Në shumicën e rasteve lulet e blirit mblidhen të plota me të gjitha organet e tyre duke i këputur me bisht jo më të gjatë se 2 cm.

Lulet e drurëve të lartë të blirit mblidhen duke i këputur me gërshërë. AgroWeb.org ju tregon se pas vjeljes, ato duhet të hidhen në një kuti prej letre ose në një beze në mënyrë që të kenë ajrosje të vazhdueshme dhe lihen të thahen në hije.

Gjatë vjeljes duhet patur kujdes në mënyrë që të mos dëmtohen degët e bimës, apo gjethet e vogla që janë në zhvillim.

Ndalohet rreptësisht prerja e degëve për të grumbulluar lulet si dhe prerja e degëve rrafsh apo shkulja e tyre, pasi AgroWeb.org ju tregon se nevojiten vetëm lulet dhe sythat e tyre.

Tharja e luleve të blirit

Tharja e luleve të blirit si bimë mjekësore dhe aromatike është një proces i cili vjen pas grumbullimit të tyre.

Tharja duhet të bëhet në mënyrë të menjëhershme, në mënyrë që të mos humbasin vlerat e tyre si dhe ngjyra natyrale e bimëve. AgroWeb.org ju këshillon se tharja e luleve të blirit është e këshillueshme të bëhet në kohë me diell dhe në hije.

Tharja natyrale realizohet në temperatura normale, në kohë me diell nëpër garazhe apo tarracat e shtëpive.

Në rastet e prishjes së kohës tharja e tyre duhet të realizohet në ambiente të mbyllura, ku temperatura nuk duhet të arrijë më shumë se 50°C.

Si rezultat i ndërhyrjes njerëzore, prerjet e dëmtimet e pemëve të blirit gjatë mbledhjes së luleve janë dëmtuar dhe bliri bën pjesë në kategorinë e bimëve mjekësore që rrezikojnë të zhduken.

Ndaj ka shumë rëndësi, ndjekja e përpiktë e rregullave të mësipërme në periudhën e vjeljes së luleve./AgroWeb.org