Mollët janë mbretëreshat e çdo stine. Të kuqe flakë plot lëng, të gjelbra pak të athëta, apo të verdha të ëmbla ato na tërheqin përherë me shijen e tyre fantastike.

Të gatuara në receta të ndryshme ëmbëlsirash, ato përherë mbëten ndër frutat më të preferuara të recetave të amvisave shqiptare.

Janë të njohura tashmë recetat e shijshme të marmalatës së mollës, reçelrave të ndryshëm, kekëve me mollë apo shurupit të tyre.

Por një recetë krejt unike, e thjeshtë  në përgatitje e shumë e shijshme që të kënaq oreksin dhe nepsin janë mollët e pjekura në furrë.

Të kombinuara me arra, kanellë e mjaltë apo edhe me të tjerë përbërës si karafila a fruta të thatë, shija e përftuar nga kjo recetë është perfekte, mbresëlënse.

Kjo recetë është fantastike për të mbyllur vaktet e drekës apo darkës por sigurisht është po aq fantastike për t’u shijuar në çdo kohë të ditës duke dhuruar një ëmbëlsi të lehtë, natyrale.

Më poshtë do të gjeni recetën nga AgroWeb.org për përgatitjen e mollëve të pjekura në furrë.

Mollët e Pjekura në Shtëpi

Përbërësit

(Sasia e mollëve përzgjidhet në bazë të numrit të personave në familje)

Mollë

Mjaltë

Arra

Pak sheqer

Kanellë, fruta të thata ose karafila (Sipas dëshirës)

Përgatitja – Shpejt dhe Lehtë

Pastrojini mirë mollët me ujë të bollshëm dhe thajini me një pecetë kuzhine.

Më pas, prisni pjesën e sipërme të mollës dhe me ndihmën e një luge largoni farat.

Më pas, secilën prej mollëve lyejeni me pak sheqer nga të gjitha anët dhe tek pjesa e brendshme që kemi hapur hedhim disa arra të thërmuara me mjaltë.

Vendosini me radhë në një tavë ku kemi shtruar më parë letër pjekjeje.

I pjekim në furrë me temperaturë 200 gradë përreth 30 minuta.

Pasi mollët të jenë karamelizuar i heqim nga furra.

Sipas preferences mund t’i spërkasim me pak pluhur kanellë ose fruta të thata apo disa karafila.

Kjo ëmbëlsirë shërbehet e ngrohtë por edhe ftohtë me akullore ose kekë të ndryshëm./AgroWeb.org