Patëllxhanë me Hudhra – Shije Fantastike në Tryezë

1.6k 1

Janë të pafundme recetat shqiptare të gatimit të patëllxhanëve. Nga turshitë e shijshme e deri tek tava e famshme Imam Ballajdi.

Secila prej këtyre recetave ka shijen e saj të veçantë duke shoqëruar në mënyrë perfekte gatime të ndryshme të kuzhinës shqiptare duke shërbyer si një sallatë e shijshme apo pjesë e antipastave të ndryshme gjithashtu.

AgroWeb.org u përcjell më poshtë dy receta fantastike të patëllxhanëve të marinuar me hudhra dhe një tjetër e përgatitur me qepë.

Dy Receta Fantastike në Përgatitjen e Patëllxhanëve

Patëllxhanë me Hudhra  

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

8 patëllxhanë mesatarë

2 kokrra hudhra

2 filxhanë kafeje vaj ulliri

Kripë

Piper

Përgatitja     

Patëllxhanëve u hiqen bishtat dhe majat.

Pasi lahen dhe fshihen u bëhen dy ose tre prerje për së gjati.

Në prerjet e krijuara vendosen kripë dhe thelpinj hudhrash.

Më pas patëllxhanët spërkaten me kripë dhe vendosen në një tenxhere të cekët ose në tigan.

U hidhet vaj ulliri, mbulohen me kapak dhe lihen të zjejnë në zjarr të ngadaltë.

Herë pas here kthehen nga të dyja anët në mënyrë që të spërkaten me yndyrën e tyre.

Kur vendosen në pjatë priten përgjysmë, për së gjati dhe spërkaten sërish me yndyrën e tyre.

Patëllxhanë me Qepë

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

4-5 patëllxhanë mesatarë

4-5 lugë gjelle miell

2-3 filxhan kafeje me vaj ulliri

4-5 kokrra qepë mesatare

2-3 kokrra domate

Kripë

Piper

Majdanoz

Përgatitja

Pasi lahen, patëllxhanëve u hiqen bishtat dhe majat.

U jepet një valë dhe priten në feta të rrumbullakëta.

U hidhet kripë, kalohen në miell dhe skuqen nga të dyja anët.

Qepët priten në formë gjysmë rrethi dhe skuqen në zjarr të ngadatë.

Lihen në zjarr sa të zbuten dhe t ëmarrin një ngjyrë të kuqërremtë.

Përgatitja e salcës: Në yndyrën e mbetur nga skuqja e qepëve, hidhen domate të qëruara  dhe lihen të zjejnë 2-3 minuta.

Nëë fund u hidhen kripë, piper dhe majdanoz i grirë hollë.

Në pjatë vendoset një shtresë patëllxhanësh të skuqur, pastaj një shtresë me qepë, përsëri patëllxhanë dhe sipër salca e përgatitur./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.