Patëllxhanët dhe përbërësit e përdorur në këtë recetë janë të pasur me ushqyes dhe me vlera shëndetsore.

Pak të athët por shijeplotë, patëllxhanët turshi ashtu si çdo turshi tjetër janë ndër më të preferuarit në tryezat shqiptare. Për amvisat shqiptare, vjeshta është periudha kur nis përgatitja e turshive të ndryshme për t’u shijuar gjithë vitin.

Në vendin tonë, perimet më të preferuara për turshi janë domatet, lakrat, specat, kastravecat, patëllxhanët dhe panxhari.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni një recetë interesante për patëllxhanë turshi që mund të përgatiten mjaft lehtë në shtëpi, por mbi të gjitha janë të shëndetshëm dhe plot shije.

Patëllxhanët ruhen mjaft mirë nëse bëhen turshi, dhe i japin hijeshi tryezave të çdo stine. Patëllxhanët dhe përbërësit e përdorur në këtë recetë janë të pasur me ushqyes dhe me vlera shëndetsore.

Në këtë mënyrë përgatitjeje mineralet dhe ushqyesit më të qëndrueshëm siç janë kalciumi, magnezi, mangani e të tjerë ruhen gjatë.

Në 100 gramë patëllxhanë të mbushur turshi gjenden 33 kalori.

Receta e patëllxhanëve turshi

Përbërësit

  • 500 gramë patëllxhanë të vegjël ose mesatarë.
  • 2 lugë gjelle me kripë.
  • 3 lugë gjelle me majdanoz të freskët ose 1 lugë gjelle me majdanoz të tharë.
  • 2 lugë gjelle me borzilok të freskët të grirë hollë. Ju mund të përdorni 1 lugë gjelle me borzilok të tharë nëse nuk keni të freskët.
  • Çerek filxhani me spec djegës ose të zakonshëm të grirë hollë.
  • 3 deri 4 thelbinj hudhër të grirë hollë.
  • 1 filxhan me uthull molle.
  • 2 gota me ujë.
  • 1 deri në 2 gota me vaj ulliri ekstra të virgjër.

Për mbushjen

200 gr lakër e bardhë

300 gr speca

2 tufa majdanoz

hudhër

Merren speca të llojit me tul  grihen në rripa të hollë,përzihen me majdanoz, lakër, hudhra të grira e kripë, spec djegës nëse dëshironi dhe mbushen patëllxhanët.

Procesi i Përgatitjes

1. Qëroni patëllxhanët dhe prijini në mes si xhep.

2. Vendosini fetat e patëllxhanit në një kullesë mbi një enë ku do të akumulohet lëngu i formuar. Spërkatini me kripë dhe fërkojini me duar që të mbështillen nga kripa në mënyrë të njëtrajtshme.

Lërini të qëndrojnë në kripë për 3 deri në 4 orë, duke i përzier dhe shtrydhur me dorë çdo një orë. Për të përshpejtuar nxjerrjen e lëngut nga patëllxhanit, vendosni sipër tyre një pjatë mbi të cilën mund të lini një pako me miell për të krijuar më shumë peshë.

3. Pas 3 apo 4 orësh, shpëlajini me ujë dhe kullojini. Shtrydhini sërish me duar dhe vendosini mënjanë.

4. Në një tenxhere hidhni ujin dhe uthullën dhe lërini të ziejnë së bashku. Më pas fusni patëllxhanët dhe ziejini për pak më shumë se 2 minuta. Mos i lini patëllxhanët të ziejnë për më shumë se tre minuta sepse do të qullen.

Hiqini patëllxhanët nga tenxherja dhe kullojini. Pasi të jenë ftohur, shtrydhini sërish dhe lërini të thahen duke i mbuluar me letër kuzhine.

Patëllxhanët nuk duhet të jenë të thatë por as të kullojnë ujë. Futini mbushjen në mes ku i keni prerë si xhep.

5. Hidhini patëllxhanët në kavanozë të pastër dhe vendosini në shtresa duke i kombinuar me majdanozin, borzilokun, specat e kuq dhe hudhrën. Ngjeshini së bashku dhe më pas shtoni vajin e ullirit duke i mbuluar plotësisht.

Me një lugë druri sheshoni të gjitha bulëzat e formuara. Shtoni më shumë vaj ulliri nëse është e nevojshme, por mos i mbushni plot dhe një hapësirë boshe në pjesën e grykës së kavanozit. Mbyllni kapakët dhe mbajini kavanozët në vend të errët për deri një javë, ose sipas recetës së disa trevave, futini në ngrirje.

6. Servirini të shoqëruar me bukë të thekur ose në panine. Patëllxhanët turshi kombinohen shumë mirë me sallata dhe makarona./AgroWeb.org