Një sallatë tipike e kuzhinës shqiptare që të tundon menjëherë me shijen e saj e të ngacmon oreksin, nepsin dhe dëshirën për ta konsumuar menjëherë.

Specat e kuqe, të verdha dhe ato jeshile, të pjekura e të marinuara me hudhra, vaj ulliri dhe uthull janë ndër kënaqësitë fantastike që ofron tradita shqiptare.

Dikur, qindra vite më parë, ato piqeshin në prush, më tej në saç, e sot e shndërruar në një traditë të të gjitha amvisave shqiptare edhe në furrë.

Me një shije fantastike, kjo pjatë shndërrohet në shoqëruesen e shkëlqyer të supave e gjellëve të ndryshme teksa mund të shijohen edhe veçmas me pak bukë të thekur e pak djathë.

Më poshtë, AgroWeb ju sugjeron recetën e përgatitjes së specave të pjekur në furrë.

Speca të Pjekura dhe të Marinuara

Përbërësit

Speca të kuq, të verdhë dhe jeshilë të mëdhenj

Hudhra

Kripë

Piper

Vaj ulliri

Uthull

Majdanoz (Sipas dëshirës)

Përgatitja

Specat pastrohen me ujë dhe më pas përmes një pecete kuzhine fshihen në mënyrë që t’u thahet uji.

Priten në dy pjesë, u hiqen farat e brendshme dhe sipas dëshirës mund të vendosen direkt në zgarën e sobës për t’u pjekur ose në tavë, të cilën keni shtruar më parë letër pjekjeje.

Futen në furrë të piqen në temperaturë maksimale derisa të jenë zbutur plotësisht.

Më pas, nxirren nga furra dhe pasi janë ftohur pak u hiqet lëkura. Për të hequr lëkurën më shpejt mund të përdorni letrën mbështjellëse të bukës, me të cilën mund të mbështillni për disa minuta specat e më pas t’u hiqni lëkurën.

Specat nëse dëshironi i prisni në rripa të hollë dhe i vendosni me rradhë në një pjatancë. Në një tas të vogël hedhim vaji e ullirit, pak uthull, hudhrat e shtypura dhe pak majdanoz të grirë hollë.

I përziejmë të gjitha bashkë dhe i hedhim tek specat duke i përzjerë sa të marinohen mirë.

Sipas preferencës, sipër mund t’u hidhni edhe pak djathë të bardhë ose edhe stika pishe./AgroWeb.org